Gazeta Si – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pasi zbatoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për aferën “Partizani”, komentoi veprimet e protestuesve gjatë protestës së 28 shkurtit, ku u hodhën fishekzjarre e molotovë drejt vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha në zonën e ish-Bllokut.
Berisha tha se nuk ka patur dijeni se brenda kishte patur shtetas të huaj dhe as për faktin se ish-vila e diktatorit ishte bërë qendër kulturore.
“Ndjej keqardhje për ata të huaj që kanë qenë aty dhe i siguroj që s’kanë qenë objekt. S’kam ditur që kanë qenë aty. Për ata ndjej keqardhje, s’duhet të ndodhte kurrsesi. Unë e mora vesh pasi pyeta dhe më thanë që është bërë qendër kulturore. Qendër kulturore vila e Enver Hoxhës është fyerje e madhe për mbi 7 mijë të ekzekutuar. Mund të ishte të muzeu i torturave”, tha Berisha.
Kryedemokrati sulmoi edhe drejtorin e komanduar Policisë së Shtetit Sokol Bizhga, duke u shprehur se ky i fundit duhet dënuar për tradhti të lartë, pasi e la kolegun e tij të digjej i gjallë nga kriminelët.
“Një armik i egër i ligjit, një tradhtar i kolegut të tij, që e dogjën të gjallë në makinë kriminelët Gjergj Mehmetin dhe ky ia mbathi. Dhe del e u thotë se kalova nëpër kodra e nëpër male si partizan ky gjoja. Ky është një tradhtar që e meriton të dënohet për tradhti të lartë ndaj shokut, ndaj bashkëluftëtarit të paktën 30 vite. Prandaj e vuri Edi Rama aty tani, hoqi Prodën se nuk mbrojti vilën e Enverit dhe vuri këtë tani kundër opozitës. Por ta dijë mirë se opozita e ka të dënuar atë”, tha Berisha.
Më pas, Berisha e konsideroi Altin Dumanin armik të egër të votës së lirë të shqiptarëve, ndërsa sulmoi edhe gjyqtaren Irena Gjoka, duke u shprehur se “në shtetin e Irenës me 5 mbiemra ka vetëm krim në vazhdim”.
“Altin Troplinit, armikut të egër të votës së lirë të shqiptarëve, avokatit të Irena Gjokës, Elvis Doçit, Altin Hajrit dhe Kreshnik Farrukut, me paralajmërimin se drejtësia vonon, por nuk harron dhe krimi antikushtetues do marrë ndëshkimet më të rënda. Ky ishte dokumenti që i lashë në SKAP”, tha Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje