Ish-ministri serb i Kosovës, Ivan Todosijeviç u dënua edhe nga Gjykata e Apelit në Prishtinë me dy vite burg për mohimin e masakrës së Reçakut në vitin 1999 dhe hedhjes së dyshimeve se ajo masakër mund të jetë kryer nga vetë Ushtria Çlirimtare e Kosovës për të nxitur ndërhyrjen e NATO-s.
Todosijeviç u shpall fajtor në dhjetor 2019 u dënua me dy vjet burg. Ish-ministri serb në Qeverinë e Kosovës u dënua nga një gjykatë në Prishtinë për nxitje të urrejtjes racore, fetare dhe etnike. Në kohën e bërjes së këtyre deklaratave ai mbante postin e ministrit të Administratës dhe Pushtetit Vendor. Ai u shkarkua atëherë nga Kryeministri Ramush Haradinaj pasi bëri këto komente.
Gjykata e Apelit e Kosovës la në fuqi vendimin, pavarësisht deklaratave të politikanëve të tjerë serbë të Kosovës dhe të reagimit të Beogradit. Petar Petkoviç, kreu i së ashtuquajturës zyra e qeverisë serbe për Kosovën e cilësoi vendimin si të turpshëm.
Ai paralajmëroi se ky vendim do të ndikojë te procesi i dialogut mes dy vendeve.
“Gjykata e Prishtinës i ka shkaktuar dëme të pallogaritshme procesit të pajtimit me Kosovën. Me këtë vendim skandaloz, i cili nuk bazohet as në ligj dhe as në drejtësi është një vendim kundër çdo serbi që luftoi për të vërtetën”, tha Petkoviç.
Në lidhje me dënimin e Todosijeviç, anëtar i Listës Serbe, forcë politike në Kosovë që mbështetet nga Beogradi pas vendimit të gjykatës themelore të Prishtinës ka reaguar në atë kohë edhe Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç. Ai e cilësoi dënimin si “të frikshëm” dhe kërkoi nga BE që të ushtrojë presion ndaj Prishtinës për të respektuar marrëveshjet e nënshkruara.
Masakra e Reçakut ndodhi në janar të vitit 1999. Masakra u raportua fillimisht nga Misioni Verifikues i OSBE-së, një mision ndërkombëtar i paarmatosur që vepronte në Kosovë. Forcat serbe fillimisht provuan që ta ndalojnë punën e këtij misioni, por pas protestave dhe ndërhyrjes ndërkombëtare, misioni i drejtuar nga William Walker mbërriti në skenën e krimit.

Në deklaratën e parë më pas, Walker e cilësoi atrocit, krim i pashoq kundër njerëzimit dhe fajësoi forcat serbe për këtë krim.
“Nuk ngurroj të akuzoj forcat serbe të sigurisë. Duam të dimë kush dha urdhrat dhe kush i zbatoi. Do të këmbëngul që drejtësia të vihet në vend. Këta persona nuk e meritonin të vdisnin kështu”, u tha Walker gazetarëve që e shoqëronin.
Në Masakrën e Reçakut 45 shqiptarë u ekzekutuan nga afër. Kjo masakër ishte një prej ngjarjeve që shtynë në vendimmarrjen për ndërhyrjen e NATO-s dhe nisjen e fushatës 78-ditore të bombardimeve ndaj Serbisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




