Modeli i ri ekonomik duhet të fokusohet tek eksportet. Këtë sugjeron guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Gjatë prezantimittë Drejtorit Ekzekutiv të Bankës Botërore për Shqipërinë, Patrizio Pagano dhe temës për diskutim “Ngadalësimi i produktivitetit dhe hipoteza e stanjacionit shekullor” Sejko theksoi se ekonomia shqiptare ka ulur produktivitetin. Sipas tij, “Përgjysmimi i ritmit të rritjes në periudhën para dhe pas krizës, pasqyron si ngadalësimin e zgjerimit të kërkesës për mallra dhe shërbime, ashtu dhe ngadalësimin e kapacitetit të ekonominë për të ofruar këto produkte. Në veçanti, studimet tona kanë gjetur se shkalla e zgjerimit të produktivitetit në ekonominë shqiptare – i përcaktuar gjerësisht si aftësia e ekonomisë për të shfrytëzuar punën dhe kapitalin fizik për gjenerimin e prodhimit – është përgjysmuar në këtë periudhë, nga 2% në 1%. Për këtë arsye, rritja e produktivitetit ka qenë dhe duhet të mbetet një udhërrëfyes për axhendën e reformave strukturore në vend.”
Ekonomia shqiptare, u shpreh Sejko, ka qenë dhe është në një proces ristrukturimi të modelit të saj të rritjes.” Ndër të tjera, ky proces parashikon një mbështetje më të madhe të rritjes në sektorët e orientuar drejt eksportit – si industria dhe turizmi, si dhe një orientim më të madh të resurseve financiare drejt zgjerimit të investimeve. Zhvendosja e burimeve financiare, njerëzore dhe manaxheriale, midis sektorëve të ekonomisë, kërkon kohë dhe shoqërohet me ngadalësim të përkohshëm të produktivitetit. Megjithatë, ribalancimi i burimeve të rritjes, nga ndërtimi e tregtia drejt industrisë dhe shërbimeve të eksportit, është një proces i cili tashmë ka nisur. Kjo zhvendosje graduale vihet re dhe në ribalancimin simetrik të portofolit të kredisë bankare.”-vazhdoi ai. Sejko vuri gjithashtu theksin edhe tek edukimi e kualifikimi i fuqisë punëtore. “Reforma e sistemit të lartë arsimor dhe rritja e theksit në arsimin profesional, janë dimensione esenciale të ristrukturimit të ekonomisë, frytet e të cilave do të bëhen gjithnjë e më të dukshme në afatin e gjatë. Megjithatë, Shqipëria ka ende punë për të bërë në këtë drejtim, në veçanti drejt frenimin të emigrimit të fuqisë së kualifikuar punëtore dhe të rifreskimit të aftësive të fuqisë së saj punëtore nga sektori privat.”- tha Sejko.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.