“Italia mund të ketë nevojë të rivendosë kufizimet e bllokimit përpara vjeshtës nëse rastet me koronavirus rriten sërish me daljen nga izolimi”. Ky ka qene paralajmërimi i specialist kryesor të kujdesit intensiv në vendin fqinj, Maurizio Cecconi, i cili është i bindur për ardhjen e një vale e dytë epidemie.
“Pyetja ime nuk është nëse, por kur”, shprehet ai.
Maurizio Cecconi, kreu i kujdesit intensiv në spitalin kërkimor Humanitas në Milano dhe president i Shoqatës Europiane të Mjekësisë se Kujdesit Intensive ishte një nga tre mjekët e Lombardisë që paralajmëruan pjesën tjetër të Europës si të “përgatitej” për Covid-19 në ditët e para të shpërthimit.
Tani ai thotë se shoqëria do të duhet të “mësojë si të jetojë” me koronavirusin derisa të ketë një vaksinë. Edhe pse është optimist në lidhje me përpjekjet e autoriteteve shëndetësore europiane për të monitoruar virusin, ai pret në vjeshtë rikthimin e karantinës, ose vendosjen e kontrolleve të forta sociale. “Nëse ka një rritje të përhapjes së virusit, ne duhet të jemi të gatshëm të ngadalësojmë sërish ekonominë dhe të vendosim përsëri masat kufizuese” tha ai. “Është zgjidhja e vetme”.
I pyetur në lidhje me përgjigjen e qeverive europiane, ai e cilësoi të gabuar ngurrimin e shumë qeverive për të hyrë në karantinë, në fillim të pandemisë.
“Do të kisha qenë i lumtur të shihja bllokim më të shpejt në shumë vende. Strategjia e imunitetit të tufës, të cilën disa vende europiane mohojnë ta ketë ndjekur pavarësisht provave, ishte një qasje e rrezikshme” tha ai. “Si shoqëri, kur nuk keni një vaksinë ose kurë specifike, duhet të përpiqeni të mbroni njerëzit nga virusi, jo të përpiqemi t’i infektojmë” deklaroi ai.

Më 20 shkurt, mjekët e Lombardisë ishin të parët që kuptuan se sistemi i tyre i kujdesit shëndetësor ishte në prag të një krize të paparë, kujton Cecconi. Atë ditë një rast alarmant u raportua në të gjithë rrjetin e kujdesit intensiv: Një sportist në të 30-at e tij, pa sëmundje para-ekzistuese, po luftonte me vdekjen. Pacienti kishte testuar pozitiv për koronavirus, por ai nuk kishte qenë në Kinë. “Ky rast i vetëm i bëri autoritetet shëndetësore në rajon të kuptojnë se kishte një problem në mënyrën sesi ne po i gjurmonim kontaktet” kujton Cecconi.
Pas një takimi urgjent të specialistëve të kujdesit intensiv në Lombardi, u mor një vendim për të rritur aftësinë e kujdesit intensiv sa më shpejtë të ishte e mundur. Brenda gjashtë javësh, Lombardia kishte pesëfishuar shtretërit e kujdesin intensiv. “Ajo që ishte e vështirë për ne ishte që ne nuk kishim kohë për t’u përgatitur” tha ai.
Në ditët e para, Cecconi dhe ekipi i tij ishin “pak të frikësuar”. Ata kishin parë raporte të personelit mjekësor në Kinë që infektoheshin dhe vdisnin nga koronavirusi, por nuk e dinin se deri ku mund t’i besonin të dhënave kineze. Ai tha se shumë pak staf në spitalin e tij ishin infektuar me Covid-19.
Por kohërat më të vështira për të dhe stafin e tij vinin nga familjet që nuk ishin në gjendje të shihnin të dashurit e tyre të shtruar në spital. “Të dhemb zemra të mos përqafoni të dashurit tuaj. Ne kemi qenë ata që u kemi thënë të infektuarve të mos shqetësohen dhe duhej t’i shpjegonim familjarëve çfarë po ndodhte. Njerëzit në anën tjetër të telefonit, ata e dinin që të dashurit e tyre po vdisnin dhe ne u përpoqëm të ishim atje sa më shumë që të ishte e mundur”, tha ai.
Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.