Mjekët e spitalit të Traumës kanë protestuar këtë të enjte kundër arrestimit të kolegëve të tyre dy ditë më parë, të cilët akuzohen se kanë marrë ryshfet për operimin e njërit prej të plagosurve në masakrën e Velipojës.
Vendimin për t’i lënë në arrest me burg mjekët Serdi Memini dhe Ervin Sulajn e konsiderojnë të padrejtë.
“Vendim është i padrejtë. Ne nuk paraqesim rrezikshmëri shoqërore, bluzat e bardha të mos trajtohen si kriminelë. Ryshfeti është dhënë dhe do vazhdojë të jepet nëpër spitale, duhet reformim. Në varësi të vendimit që do marrë gjykata, ne do të vendosim në lidhje me veprimet që do ndërmarrim”, thanë mjekët.
Kirurgu ortoped Serdi Memini dhe anestezisti Ervin Sulaj u arrestuan pasi dyshohet se morën ryshfet nga babai i Elmilind Dylit, që mbeti i plagosur në masakrën e Velipojës javën e kaluar. Mjekëve iu gjetën gjatë kontrollit 377 mijë Lekë të reja dhe 55 euro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.