Kombetarja

Mjafton goli i Lenjanit, Shqipëria mund Andorrën pa shkëlqyer (video)

Tri pikë dhe aspak emocione në debutimin “Katar “2022”. Skuadra kuqezi ka mundur 0-1 Andorrën, duke marrë fitoren e parë në Grupin I, falë golit të Lenjanit. Shqipëria ishte shumë larg nivelit të pritshëm ndaj një kundërshtari tepër modest dhe ndeshja mbeti e hapur në deri në fund.

Trajneri Reja  i besoi modulit tradicional 3-5-2. Formacioni nisi me kapitenin Etrit Berisha në kuadrat. Mbrojtja formohej nga Ismajli, Gjimshiti dhe Kumbulla të mbështetur nga Lenjani dhe Hysaj nga krahët, teksa Gjasula, Bare dhe Memushaj formonin treshen e mesit të fushës. Sulmi përbëhej nga dyshja Cikalleshi-Manaj.

Teksa përpiqeshin më shumë në krahë, goli erdhi nga Lenjani në minutën e 41-të, i cili kaloi në avantazh Kombëtaren me një goditje fantastike nga krahu i majtë, pas asistit fantastik të Bares. Me një të majtë precize Lenjani e dërgon topin në trekëndësh.

Shqipëria e nis të dytën pa shumë ide, duke mos shkuar rrjedhshëm në portën kundërshtare dhe pa krijuar raste flagrante në kuadratin e Andorrës. Në fillimin e pjesës së dytë, trajneri Reja nisi ndërrimet dhe i pari hyri në fushë Uzuni, në vend të Manajt, më pas ishte radha e Laçit, që mori vendin e Memushajt. Në minutën e 80-të, Reja kryen edhe 2 zëvendësime të tjera, largohet Lenjani dhe Cikalleshi, vendin e tyre e marrin Roshi dhe Broja. Në minutat e fundit kuqezinjtë dolën në lojën e tyre, por nuk kishte më kohë. Kështu, gola nuk ka në asnjërën portë dhe Shqipëria merr tre pikë të rëndësishme, duke e nisur mbarë këtë fushatë. Kuqezinjtë kthehen në atdhe tashmë, për të përgatitur ndeshjen me Anglinë në “Air Albania” pas tre ditësh.

Në ndeshjet e tjera të grupit tonë, Anglia mposhti 5-0 San Marinon, ndërsa Hungari-Poloni përfundoi në barazim 3-3. Në grupin I, Anglia dhe Shqipëria kryesojnë me nga 3 pikë, por me anglezët që kanë golaverazh më të mirë. Hungaria dhe Polonia ndjekin me 1 pikë secila, ndërsa renditja mbyllet nga Andorra dhe San Marino, me 0 pikë.

ANDORRA-SHQIPËRI 0-1

41′ Lenjani

Andorra: Gomes, Rubio (56′ Alavedra), Jovera, Vales, San Nikolas, Martinez (70′ Sançez), Rebes (79′ Moreno), Vieira (79′ Pujol), Cervos, Alaes, Fernandes. Trajner: Koldo Alvarez

Shqipëria: Berisha, Ismajli, Gjimshiti, Kumbulla, Hysaj, Lenjani (80′ Roshi), Gjasula, Bare, Memushaj (62′ Laçi), Manaj (62′ Uzuni), Çikalleshi (80′ Broja). Trajner: Edoardo Reja


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë