Gazeta Si – Juventusi kalon në gjysmëfinale të Kupës së Italisë, pas fitores 1-0 ndaj Lacios në ‘Allianz Stadium’. Një ngushëllim ky për situatën që po kalon skuadra bardhezi, që tani do të ndeshet me Interin.
Goli që vendosi ndeshjen u shënua në fundin e pjesës së parë nga mbrojtësi Bremer. Braziliani devijoi me kokë topin drejt rrjetës, duke përfituar edhe nga një dalje e gabuar e portierit Maksimiano, që ka një peshë të mirë të fajit në eliminimin e Lacios.
Trajneri Masimiliano Alegri aktivizoi këtë herë dyshen Kieza-Vlahoviç në sulm, të mbështetur nga krahët nga Kuadrado dhe Kostiç. Italiani bëri një ndeshje shumë të mirë, ndërsa sulmuesi serb la për të dëshiruar me paraqitjen e tij.
Te Lacio, Elseid Hysaj nuk luajti asnjë minutë në këtë ndeshje. Mbrojtësi kuqezi po kalon një formë të mirë dhe me shumë mundësi trajneri Sarri e ka ruajtur atë për në ndeshjen e kampionatit në fundjavë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




