Nga Gazeta ‘Si’ – “Pres nga mandatari për kryeministër të Maqedonisë së Veriut që publikisht, në mënyrë të qartë dhe kategorike të deklarojë se e respekton Marrëveshjen e Prespës, se emri i vendit të tij është Maqedoni e Veriut, si për përdorim të brendshëm ashtu edhe të jashtëm”, tha kryeministri grek Kiriakos Mitsotakis.
Ai shtoi se çështjen konkrete do ta ngrejë në Samitin e ardhshëm të NATO-s, por njëherësh vlerësoi se në Shkup logjika edhe më tej do të mbisundojë.
Në konferencën e sotme për shtyp të mbajtur në ishullin e Kretës, në prag të zgjedhjeve evropiane më 9 qershor, Mitsotakis iu përgjigj një sërë pyetjesh të gazetarëve mes tyre edhe mbi marrëdhëniet me RMV-në dhe respektimin e Marrëveshjes së Prespës.
Kryeministri grek tha se për momentin po konstatohet se “qëllimi i VMRO-së është që në praktikë të kontestojë emrin e vetëm për të gjithë” dhe theksoi se “Greqia nuk do ta pranojë këtë”.
Lidhur me atë se a do të ngrihet kjo çështje konkrete në Samitin e NATO-s në Uashington në gjysmën e parë të muajit korrik, ai u përgjigj pozitivisht dhe tha se “do të jetë mundësia e parë që të gjendet në të njëjtin forum me kryeministrin e ri të Maqedonisë së Veriut”.
“Sigurisht që çështjen do ta inicioj në Samitin e NATO-s për 75-vjetorin e formimit të Aleancës. Dhe do ta inkurajoja lidershipin e Shkupit që të mos rrezikojë kursin evropian të cilin vendi ynë e ka mbështetur, të cilin mendoj se e dëshirojnë edhe vetë qytetarët. Të kuptojnë se zgjedhjet kanë mbaruar, se populizmi në politikën e jashtme ka qenë për të tërhequr vota, por nuk e mbështet zhvillimin e një politike të jashtme serioze kur dikush merr zyrtarisht detyrat. Besoj se në fund do të mbizotërojë logjika dhe do të ketë një njohje të asaj që nënkuptohet në Marrëveshjen e cila për ne ka gjëra negative, por një nga dimensionet e rëndësishme është pikërisht emri i vetëm kompleks për të gjithë dhe kjo nuk mund në praktikë të kontestohet nga askush”, deklaroi ai në konferencën për media.
Ai përsëriti edhe një herë se do të kërkojnë harmonizim absolut për këtë çështje, për të cilën tha se janë në të njëjtën linjë me BE-në dhe SHBA-në.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.