Mjekët i kanë paralajmëruar njerëzit prej vitesh se nuk ka “rreze dielli të shëndetshme” dhe pavarësisht kësaj, disa njerëz vazhdojnë të përqafojnë nxirjen nga dielli si një mënyrë për të promovuar bukurinë dhe besojnë se po marrin përfitime shëndetësore nga rrezet e diellit.
Studiuesit kanë kryer kërkime për të parë se sa njerëz ende besojnë në nxirjen e “shëndetshme” të diellit.
Studiuesit do të prezantojnë gjetjet e tyre në Kongresin e 31-të të Akademisë Europiane të Dermatologjisë dhe Venerologjisë (EADV) më 9 shtator.
Pse ndodh dëmtimi UV?
Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), rrezatimi ultravjollcë (UV) “është një formë e rrezatimit jojonizues që emetohet nga dielli dhe burimet artificiale”.
Kur njerëzit dalin jashtë pa përdorur ndonjë formë të mbrojtjes së lëkurës, si krem kundër diellit ose veshje mbrojtëse, ata rrezikojnë dëmtimin e lëkurës së tyre nga rrezet ultraviolet. Shtresa e jashtme e lëkurës përmban melaninë, për të cilën ekspertët thonë se “mbron lëkurën nga rrezet ultravjollcë të diellit”.
Njerëzit që nxihen më lehtë kanë më shumë melaninë dhe melanina ka një reagim ndaj ekspozimit të zgjatur ndaj rrezeve UV që rezulton në një nxirje nga dielli. Njerëzit me më pak melaninë priren të marrin djegie nga dielli.
Ndërsa njerëzit mund të mendojnë se nxirja nga dielli duket e shëndetshme, në realitet, nxirja në vetvete është një shenjë e dëmtimit të lëkurës nga rrezet ultraviolet.
Alexa B. Kimball, pedagoge e dermatologjisë në Harvard e theksoi këtë në një intervistë me Medical News Today.
Ajo thotë se kanceri i lëkurës është forma më e zakonshme e kancerit që diagnostikohet çdo vit. Më shumë se 4 milionë të rritur në SHBA trajtohen çdo vit për kancerin e lëkurës.
Një pjesë e mitit të “rrezeve të shëndetshme” vjen nga fakti se dielli ofron vitaminë D. Vitamina D është e rëndësishme për shëndetin e kockave dhe madje edhe shëndetin mendor, por vitamina D mund të gjendet në burime të tjera, si peshku yndyror, mëlçia e viçit dhe qumështi.
Edhe pse dielli ofron vitaminë D, kalimi i kohës në diell për të marrë një nxirje nuk është i shëndetshëm. Megjithatë, një sondazh i kryer nga La Roche-Posay dhe Ipsos tregon se një numër i madh njerëzish e kanë ende këtë besim.
Studiuesit anketuan 17.000 njerëz nga disa vende europiane, duke përfshirë Britaninë e Madhe, Spanjën, Gjermaninë dhe Italinë, si dhe nga vende jo europiane duke përfshirë SHBA-në, Kanadanë, Brazilin, Meksikën dhe Australinë.
Pas mbledhjes së rezultateve të sondazhit, studiuesit krahasuan qëndrimet europiane ndaj rrezeve të diellit me qëndrimet jo-europiane.
Një zbulim kryesor ishte se 8 në 10 europianë besojnë se nxirja është e lidhur me bukurinë dhe tërheqjen. Ajo që është më alarmante është fakti se 73 për qind e europianëve mendojnë se nxirja e diellit është e shëndetshme.
Nga ana tjetër, 67 për qind e jo-europianëve mendojnë se nxirjet janë tërheqëse dhe 59 për qind mendojnë se janë të shëndetshme.
Edhe pse europianët mendojnë se nxirja nga dielli është e shëndetshme, gjithsesi janë më të kujdesshëm ndaj mbrojtjes së lëkurës.
Kur u pyetën për përdorimin e mbrojtjes gjatë marrjes së rrezeve, 66% e europianëve treguan se e shohin të nevojshme, ndërsa 55% e jo-europianëve e konsiderojnë të nevojshme.
Së fundi, studiuesit pyetën nëse të anketuarit dinë të përdorin mbrojtje nga dielli në ditët me re, pasi rrezet UV të diellit depërtojnë edhe retë.
Nga të anketuarit europianë, 44% ose nuk mendonin ose nuk e dinin nëse mbrojtja nga dielli ishte e dobishme në ditë të tilla.
Profesor Thierry Passeron, i cili punon në departamentin e dermatologjisë në Universitetin Côte d’Azur në Nice, Francë thotë se mesazhi më i rëndësishëm është të shpjegohet se duhet të mbrojmë lëkurën tonë gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm gjatë pushimeve ose kur bëjmë disa aktivitete në natyrë”.
Profesor Passeron vuri në dukje se rrezet nga dielli “mbeten një faktor rreziku i rëndësishëm për kancerin e lëkurës ( edhe për plakjen e lëkurës)”.
Burimi: Medical News. Përshtati: Gazeta “Si”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




