Euro2024

Kombëtarja harron shijen e hidhur që na la Italia, kërkon pikë në ndeshjen e radhës

Nga Gazeta Si - Pas përfundimit të përballjes me Italinë në Dortmund, Kombëtarja shqiptare është rikthyer në kampin e tyre stërvitor, në Kaiserau, aty ku kanë vijuar përgatitjet, për sfidën e mesditës së 19 qershorit, ndaj Kroacisë, sfidë e cila do të vendosë përfundimisht fatin e Kombëtares “kuqezi”, në këtë rrugëtim.

Me rikthimin në kampin bazë kanë filluar edhe dalje në konferencë për shtyp, nga “Kuqezinjtë” tanë. Para mediave ka dalë anësori i mbrojtjes, Mario Mitaj, i cili fillimisht ka theksuar emrin e lojtarit që mund të kthehet në një ‘hero’ dhe më tej ka folur për përgatitjet ndaj Kroacisë.

“Besoj se në përgjithësi të gjithë lojtarët luftojnë të luajnë sa më mirë për Kombëtaren. Kemi lojtarë si Broja e Asani, që luftojnë shumë e kanë një goditje fantastike por mendoj se një lojtar që mund të bëjë mirë është Broja”, tha Mitaj, duke shtuar se e kanë harruar shijen e hidhur që u ka lënë Italia.

“E kemi harruar shijen e hidhur që na la Italia. Tani kemi filluar të përgatitemi sa më shumë për Kroacinë, duam pikë. Nuk i nënvlerësojmë kundërshtarët dhe të gjithë janë të fortë. Grupi është gati dhe tashmë kërkojmë të bëjmë një ndeshje shumë më të mirë se ajo e para”, u shpreh anësori i Kombëtares.

I pyetur nëse ka menduar se për cilën skuadër do të luajë pas Europianit, Mitaj tha se për momentin nuk po mendon për të ardhmen pasi e ka mendjen vetëm tek Kombëtarja.

“U emocionuam nga goli i parë dhe u kthyem në mbrojtje por sigurisht është e vështirë të bllokosh 1 skuadër si Italia”, tha Mitaj.

Mitaj tha se trajneri Sylvinho u ka thënë se kanë luajtur një ndeshje të mirë me Italinë dhe duhet vetëm të përmirësojnë goditjet standarde.

“Trajneri na tha se ishte një ndeshje e mirë dhe po punojmë me goditjet standarde. Tani na intereson vetëm Kroacia. Më pas do mendojmë për Spanjën”, tha Mitaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë