Ka ndodhur

Misteri i vrasjes së biznesmenit shqiptar në Itali, arrestohen edhe 2 persona të tjerë

Nga Gazeta Si – Hetimet për vrasjen e 43-vjeçarit shqiptar, Fatmir Ara, në Itali po vijojnë intensivisht. Pas arrestimit të një 30-vjeçari më 6 shtator, mediat italiane shkruajnë se pasditen e së shtunës (24 shtator) janë vënë në pranga edhe 2 persona të tjerë. Bëhet fjalë për një 30-vjeçar tjetër dhe një 44-vjeçar, të dy italianë dhe pa precedentë të mëparshëm penalë. Identitetet e tyre nuk janë bërë publike.

Siç shkruajnë mediat ndaj tyre ka akuza për bashkëpunim në vrasje me paramendim. Megjithatë, hetimet pritet të zbardhin tërësisht ngjarjen. Deri më tani mbetet mister arsyeja se pse u vra biznesmeni shqiptar.

30-vjeçari i arrestuar më 6 shtator, e pranoi krimin pas disa orësh marrje në pyetje. Fillimisht ai u pyet nga karabinierët për më shumë se 12 orë. Më pas zyrtarët e prokurorisë që për 17 orë të tjera vijuan marrjen në pyetje, gjatë natës dhe ditës që pasoi deri në orët e vona të pasdites. I dyshuari e modifikoi versionin e tij disa herë edhe kur hetuesit i sollën fakte të pakundërshtueshme.

Në fund pranoi vrasjen, duke dhënë edhe të dhëna të sakta për gjetjen e telefonit të viktimës, i hedhur shumë larg nga vendi i ngjarjes, dorezat e përdorura për të kryer vrasjen dhe armën që e kishte me leje.

Në hetimet për të zbardhur vrasjen e 43-vjeçarit shqiptar, karabinierët analizuan qindra orë filmime të kamerave të sigurisë, publike e private dhe morën në pyetje më dhjetëra persona.

43-vjeçari shqiptar Fatmir Ara u gjet i pajetë në një zonë të pyllëzuar 2 ditë pasi u shpall i humbur nga familja.

Ai ishte qëlluar 3 herë me armë zjarri në kokë ndërsa dyshohet se para vrasjes ai të jetë dhunuar sipas të dhënave të nxjerra nga raporti paraprak i autopsisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë