Shkencë

Misteri i oksigjenit të zbuluar nga NASA në Mars

Shkencëtarët që qëndrojnë pas misionit “Curiosity” të NASA-s në Mars kishin provuar praninë e sasive të vogla të oksigjenit në atmosferën e Marsit, por tani, pas vitesh analizash të grumbulluara nga sonda në “Planetin e Kuq” nuk po arrijnë që të shpjegojnë me ligjet e kimisë tokësore ndryshimet e masës së oksigjenit.

Shkencëtarët thonë se sasia e oksigjenit në “ajrin” marsian rritet me 30 për qind në pranverë dhe verë. Shkaku mbetet ende një mister, që studiuesit po përpiqen ta zbërdhejnë.

“Ne e dimë që oksigjeni formohet në atmosferën e Marsit nga energjia e çliruar nga Dielli ku bie në kontakt me dioksidin e karbonit, apo “ujin” marsian. Për të dyja këto kemi prova se ekzistojnë në atmosferën e këtij planeti. Por, problemi është se nuk ka kuptim ndryshimi i sasisë së oksigjenit. Nuk përputhet me pritshmëritë tona”, thotë për BBC, Dr. Manish Patel, profesor i “Open University” dhe pjesëmarrës në analizimin e të dhënave të mbërritura nga sonda “Curiosity”.

Shkencëtarët thonë se luhatjet në këto përmasa sipas stinëve nuk mund të shpjegohen me shpërbërjen e dioksidit të karbonit, sepse ky i fundit kërkon më shumë kohë nga sa ndodh ndryshimi në Mars. Kjo nuk shpjegohet as nga prania e ujit. Shkencëtarët thonë se në Mars nuk ka sasi kaq të madhe uji sa të justifikojë një fenomen të tillë.

Atëherë nga se vjen rritja e oksigjenit në pranverë dhe verë në Mars? Njëra teori thotë se ndryshimi lidhet me natyrën gjeologjike të këtij planeti, ndërsa teoria tjetër, që askush nuk e përjashton deri më tani si mundësi, thotë që ky ndryshim në përmasa kaq të mëdha shpjegohet vetëm me praninë e jetës “mikrobike” në këtë planet.

Rezultatet janë përftuar nga të dhënat e grumbulluara nga sonda “Curiosity”, që ndodhet në Mars prej thuajse gjashtë vitesh tokësorë dhe tre vitesh marsianë. Kjo sondë është e pajisur me një xhep në anë të saj, ku krahët robotikë, sipas komandës së dhënë prej Tokës marrin mostra marsiane dhe i fusin në këtë xhep.

Më pas, aktivizohet mekanizmi i analizimit të këtyre mostrave. Shkencëtarët matën ndryshimet sipas stinëve të gazrave që mbushin ajrin marsian direkt në sipërfaqen e kraterit të njohur me emrin Gale, aty ku “Curiosity” u ul.

Rezultatet provojnë se atmosfera e Marsit është e përbarë në pjesën dërrmuese të saj nga dioksidi i karbonit, ndërsa gjurmë të vogla gazrash të tjerë, si nitrogjen molekular (N2), argon (Ar) dhe oksigjen molekular (O2) nuk mungojnë.

“Avaria” që vunë re studiuesit është se përgjatë të gjithë vitit marsian, që është i gjatë sa 687 ditë në Tokë, të gjithë gazrat ruajnë thuajse të njëjtin nivel në atmosferë, me përjashtim të oksigjenit, që rritet me 30 për qind në pranverë dhe verë.

Për t’u sqaruar, shkencëtarët thonë se bëhet fjalë për sasi të papërfillshme të O2, që nuk e bën Marsin të banueshëm.

Gjetjet janë publikuar në revistën “JGR-Planets”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë