Ekonomi

Misteri i Air Albania

Avioni i parë i “Air Albania”

Sabina Veizaj, Xhuliana Toçi- Avioni i parë me flamur shqiptar ka nisur testet prej disa javësh nga Tirana drejt Stambollit. Qytetarët presin që kur ai të fluturojë me linja të rregullta, pas një muaji, çmimi i biletave të jetë më i ulët. Albcontrol, i cili ka 10 për qind të aksioneve, thotë se çmimet do të jenë deri në 50 për qind më të lira.

Nëse kjo ndodh atëherë shqiptarët kanë mundësi të kursejnë jo pak. Sot çmimet e biletave janë disa herë më të larta se në çdo vend tjetër dhe qytetarët preferojnë shpeshherë të nisen nga Shkupi ose Prishtina drejt destinacioneve europiane. Në fakt ngaAeroporti Nënë Tereza pretendohen se ka fluturime low kost por kjo nuk ka ndodhur për disa shkaqe. Vetë koncesionari  i aeroportit  është nën hetim nga autoriteti i konkurrencës për tarifa abuzive. Megjithatë ky mbetet vetëm një shkak pse çmimet janë të larta

Destinacionet fillestare të Air Albania do të jenë Prishtina, Shkupi, Podgorica, Sarajeva dhe Zagrebi. Por siç tha edhe Kryeministri Edi Rama një intervistë për televizionin Top Channel, gjeografia e fluturimeve do të rritet edhe me Italinë dhe disa vende të tjera europiane. Do të ketë edhe një linjë direkte për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Autoritet janë të bindur për uljen e çmimeve sepse tregu ka doza të mëdha abuzimi që vazhdojnë t'i mbajnë çmimet e larta. Përmes Air Albania, shteti shqiptar gjykon se do të korrektoj pikërisht këto abuzime përmes shërbimeve alternative që ofrojnë çmime më te lira. Ende nuk janë bërë publike se cilat janë të gjitha kostot se ku do të ndërhyhet dhe si do të procedohet që kjo të ndodhë. Megjithëse duken si pika pa interes për publikun, në fakt këto janë detajet pas të cilave fshihet djalli dhe për të cilat mediat e huaja kanë shkruar se për Air Albania ka mjaft mistere.

Edi Rama inauguron kompaninë e fluturimeve Air Albania.

Gjithë ky "favor" do të ju vij shqiptarve nga një kompani që mban flamurin shqiptar por aksioner kryesor  ka Turkish Airline me 49 për qind të aksioneve, dhe një kompani shqiptare që nuk operon në fushën e transportit ajror, me 41 për qind 

Ndoshta do të çuditeni se si ka mundësi që Turkish do të operojë në Shqipëri, edhe si kompani më vete në një treg abuziv, edhe si pjesë e një kompanie të përbashkët nën flamurin shqiptar?

Këtë dileme e zbardhi rreth një javë më parë drejtoresha e Albcontrolit, Belinda Balluku, e cila tha se Turkish do të tërhiqet nga linjat  e saj në Shqipëri dhe do të operoj vetëm përmes kompanisë së përbashkët me shqiptarët, Air Albania.

"Rruga që zgjodhi Shqipëria duke u bërë ortake me Turkish, për të krijuar një kompani shqiptare, vlerësohet nga shumë ekspertë si e duhura, pasi përmes turqve, Air Albania garantonte certifikimin e plotë sipas standardeve ndërkombëtare dhe turqit japin shumë garanci të larta. Ky është  nderi i madh që Turkish Airlines i bëri shqiptarëve për t’i ofruar çdo kapacitet për të pasur një kompani ajrore publike”, citohet  Drejtoresha  Balluku.

Mirëpo përtej nderit të flamurit, përftimet e Turkish Airline si biznes mbeten të paqarta. Si ka mundësi që një kompani tërhiqet nga një treg që mund ti garantojë “llokma të mëdha”, për shkak të dozës së abuzimit me çmimete larta dhe t'u vetëofrohet shqiptarëve për çmime më të ulëta? Një hamendësim në logjikën e të bërit biznes lidhet me mundësinë që kompania turke të  bashkohet me shtetin shqiptar,  për të marrë përfitime të mëdha duke rrëmbyer linja të tjera, dhe të rrisë pjesën e tregut. Sipas disa ekspertëve, të cilët kërkuan nga gazeta që t’ju ruajë anonimatin, Komiteti Europian nuk lejon as Turkish, as ndonjë kompani tjetër fluturimi të ketë në pronësi një kompani 100 % në një vend tjetër ndaj bashkimi më flamurin shqiptar i jep mundësi penetrimi në tregje të tjera.


Edi Rama inauguron kompaninë e fluturimeve Air Albania.

Sot Turkish nga Shqipëria ka vetëm një destinacion, fluturime Tiranë -Stamboll dy herë në ditë. Aktualisht në Shqipëri veprojnë 15 kompani fluturimi mes të cilave ndahen 2 mln pasagjerë, që sipas një pjesëtimi të thjeshtë, rezulton që çdo kompani të ketë 133 mijë pasagjerë. Me këto shifra kaq të ulëta të trafikut angazhimi i Turkish Airline duket si vetëvrasje biznesi.

Por burimet i thanë gazetës se e gjitha kjo po bëhet që përmes kompanisë Air Albania, ku turqit kanë pjesën më të madhe të aksioneve, të krijojë monopolin duke larguar kompanitë e tjera nga tregu shqiptar.

 “Turkish e bën këtë sepse mendon dhe thotë; këtu fluturohet tranzit për në Amerikë dhe destinacione të tjera. Turkish Airlines shumë shpejt do të nisë fluturimet nga Tirana në Nju Jork. Rreth  24 % e trafikut që fluturon me Al Italia, Luftansa, British, etj fluturojnë drejt Amerikës dhe e bëjnë TR-Vjenë -Nju Jork, Tiranë-Munih-Nju Jork. Tr-Londër-Nju Jork, etj. Turkish e merr këtë trafik nën emër tjetër, në këtë rast të Air Albania.”-thotë eksperti.

Ai këmbëngul se pasaporta shqiptare, i jep mundësi Turkish Airlines t’u marrë trafikun ajror kompanive të tjera që operojnë aktualisht në vendin tonë.

“Turkish ose Air Albania së shpejti do të fillojë të fluturojë në Itali, Londër. British do të thotë; do zihem me turkun, me kompani vendore këtu? Dhe do të largohet, ajo dhe kompanitë e tjera. Ky është një shkatërrim i trafikut. Pas dimrit, do ta shikoni kur të nisin të rrallohen frekuencat. Rreth 12% të trafikut ajror me Amerikën e ka Al Italia, këta do të tërhiqen dhe kështu me radhë të gjitha kompanitë dhe Air Albania do të mbetet monopol”, analizon eksperti.

Përftimet e  Turkish Airline lidhen edhe me dështimin e tyre në Bosnjë- Hercegovinë. Burimet i thanë gazetës së avionët që janë lyer me flamurin shqiptar janë të Atlas Jet,  e  cila është në prag të falimentimit por tani janë dërguar në Shqipëri nën emrin e Air Albania dhe në llogari të kompanisë shqiptare konsiderohen si investim i bërë nga pala turke.

Avionët e Air Albania lyhen me bojë në një magazinë afër Rinasit

Ndërkohë Dritan Goxhaj, ekspert i aviacionit civil thotë se qeveria ka përzgjedhur kompani të pamiratuara nga AAC dhe jo europiane. Sipas tij nuk janë përzgjedhur stafet menaxheriale të linjës dhe stjuardesat janë trajnuar nga një staf i pacertifikuar.

“Nuk janë përzgjedhur kompani të miratuara nga AAC dhe jo evropiane. Shteti shqiptar do të ketë vetëm 11% të aksioneve. S’janë përzgjedhur ende stafet menaxheriale. Stjuardesat trajnohen nga një staf i pacertifikuar", shprehet Goxhaj. Sipas tij, kjo kompani nuk mund të fillojë fluturimet këtë vit.

Loja për furnizimin e me karburant

Sipas marrëveshjes së ortakëve të publikuar në Fletoren Zyrtare numër 131, Viti 2018,  “Air Albania“ u themelua në maj të këtij viti nga një konsorcium qeveritar shqiptar me “Turkish Airlines” e cila  zotëron 49 për qind të aksioneve. Dy ortakët e tjera janë nga pala shqiptare “Albcontrol” me 10%, “MDN Investment” me 41% të aksioneve. Kompania e fundit është një firmë e krijuar rishtas nga Presidenti i ekipit të Flamurtarit, Sinan Idrizi.

Turkish do të jetë në Shqipëri si Air Albania duke marrë me vete edhe një kompani tjetër turke, e cila do të ofrohet për të hyrë në tregun shqiptar për të tregtuar karburant për avionët (fuel jet A1). Këtë e ka deklaruar pak ditë më parë përfaqësuesi i MDN-së Sinan Idrizi.

Burimet i thanë  gazetës se kjo kompani ka bërë tratativa kohë më parë, por nuk hyri dot sepse nuk kishte treg. Tani me marrëveshjen e re ajo garanton nje treg të madh.

Aktualisht kompania shumëkombëshe Air BP Albania ofron e vetme karburantitn për avionët. Ekspertët mendojnë se për Air BP Albania situata monopol nuk është produkt i marrëveshjeve.

Avioni i parë i "Air Albania"

"BP nuk e ka zgjedhur vetë të qenit monopol, megjithatë, thotë Goxhaj, është e pakonkurrueshme për nga cilësia". Që tregu mbetet i hapur e konfirmoi më parë edhe autoriteti i konkurrencës.

“Duhet të bëhet një kërkesë nga një kompani publike për një kompani tjetër, si në rastin e Kastratit që të hyjnë në treg dhe kompani të tjera, sqaron Goxhaj. Por sipas tij, kjo kërkon shumë investime: "Stafi kërkon trajnim special. Minimalja duhen trajnuar 7-8 veta që kushton  1500 euro një javë  një person. Duhet të harxhosh më parë, që të marrësh mbrapsht investimin që si fillim një kompani mendohet të hedhë për vetëm autobotë dhe një staf për tre turne, minimalisht 100 mijë euro. Plus depozitën e jet fuel. Nuk ka depozita për jet fuel aktualisht sepse nuk mund ta përziesh me karburant tjetër.”

Situatën e monopolit në këtë treg Goxhaj e shpjegon me mungesë vullneti nga kompanitë.

Kur  drejtoresha e Albcontrol u pyet se ku do të jetë ulja me e madhe  e kostove që bileta për udhëtarët të jetë më e lirë ajo tha se do të ndryshojë edhe furnitori i avionëve me  karburant . Siç duket kompania që do të vijë do të jetë një konkurrente e drejtpërdrejtë e  kompanisë PB  e cila në Shqipëri numëron gati 20 vite eksperiencë. Me një kapacitet prej 600m3 të vendosur në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës dhe një shtesë prej 3.300 m3 në rezervuar me qira në terminalin bregdetar në Vlorë, ajo ka një ekip i cili pothuajse është dyfishuar në madhësi dhe mbështet më shumë se 1.6 milionë pasagjerë.

Pronësia misterioze

“Airline Geeks”, një media e njohur investigative për kompanitë ajrore, me bazë në Uashtington shkruan se është ende e paqartë pse qeveria shqiptare ka vendosur të bëjë ortak Sinan Idrizin, e kompanisë  MDN Investment” me 41 për qind të aksioneve tek Air Albania pasi “ai nuk duket të ketë ndonjë përvojë në këtë fushë dhe as burimet financiare të nevojshme për të investuar në këtë sektor”

 Por nga informacionet në dispozicion të kësaj media Idrizi duket se ai ishte i pranishëm në të gjitha takimet e Kryeministrit Edi Rama dhe presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.

Edi Rama dhe  presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.

Deri më tani janë zbuluar shumë pak detaje për funksionimin e përgjithshëm të linjës ajrore ose strategjinë e saj për vitet e ardhshme, pasi të vetmet të dhëna që figurojnë janë postimet e shkurtra në faqen e kryeministrit Edi Rama në Facebook. “Air Albania” nuk ka ende uebsaitin e saj zyrtar dhe tani për tani ka vetëm tre avionë, të tipit “Airbus A320”.  Duke cituar burime shqiptarë, “Airline Geeks” shkruan se linjat ajrore nga Perëndimi janë të gatshme të investojnë miliarda euro në vendin tonë me kusht që qeveria shqiptare të heqë dorë nga marrëveshjet e errëta dhe të garantojë shtetin ligjor. Ndërkohë që qeveria shqiptare investon në kompani ajrore dhe privatizon aeroportin, në Perëndim shteti bën të kundërtën duke investuar në aeroporte dhe duke privatizuar kompanitë ajrore, që nuk mbahen dot me kontributin e taksapaguesve.

Por Bujar Hazizaj, Këshilltar Ligjor (Kabineti i Drejtorit Ekzekutiv) pranë Autoritetit të Aviacionit Civil e konsideron të qartë dhe transparente krijimin e Air Albania në bazë të një marrëveshjeje.

Krijimi i “Air Albania” erdhi pak premtimit të qeverisë e për ndërtimin e dy aeroporteve të reja në vendin tonë, atij të Kukësit dhe atij të Vlorës. Madje, vtin e kaluar kryeministri i Rama i kërkoi Erdogan ndihmën e tij në krijimin e një linje kombëtare shqiptare.  Ndërtimi i një aeroporti në Jug të Shqipërisë është parë nga shumë ekspertë si një kusht i domosdoshëm për zhvillimin e turizmit bregdetar. Por, ndërtimi i këtij aeroportit nëpërmjet koncesiontit në fjalë është parë si një gabim shumë i madh, sepse shton koston e ndërtimit dhe i jep privatit mundësinë që të mbajë peng qeverinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë