Lecce, Kayserispor dhe së fundi Hull City janë skuadrat e interesuara për shërbimet e shqiptarit Arbër Hoxha që mbylli sezonin te Dinamo Zagreb. Në 31 aktivizimet, 13 nga të cilat si titullar, ai shënoi 3 gola e shërbeu për 3 të tjerë. Traineri i tij në kampionatin kroat, Sergej Jakirovic u emërua te Hull City Tigers në Championship dhe kërkon të marrë me vete edhe mëngjërashin 26 vjeçar. Ishte pikërisht Jakirovic ai që e transferoi nga Slaven Belupo në kryeqytetin kroat dhe tani dëshiron të bëjë të njëjtën gjë edhe në futbollin anglez. Për t’ja dalë ai duhet të mposhtë konkurencën e Lecce-s në Apenine dhe turqve të Kayserispor.

Te Lecce, Hoxha do të bashkohej me Ramadanin dhe Berishën me të cilët luan edhe te kuqezinjtë. Ndërsa në Championship do të bëhej shqiptari i 9 dhe i vetmi në rradhët e Tigers. Aktualisht skeptrin e kuqezinjve atje e mban Anis Mehmeti që aktivizohet prej vitit 2023 te Bristol City. Gjatë këtij viti kalendarik, Hoxha luajti 17’ në Champions League në “Emirates” kundër Arsenal, si dhe në eleminatoren e Marsit ndaj Anglisë. Pasi u largua nga Kombëtarja e Kosovës, Hoxha debutoi në Marsin e kaluar dhe deri më sot ka zhvilluar 15 ndeshje me Shqipërinë. Për ta lënë të lirë (pavarësisht destinacionit), Dinamo e Zagrebit kërkon shumë e 1 milionë paundëve për Arbër Hoxhën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.