Misioni i UNESCO-s në Shqipëri zhvilloi një vizitë edhe në Peizazhin e Mbrojtur “Pishë Poro-Nartë”, veçanërisht në zonën e Lagunës së Nartës.
Grupi i punës vlerësoi pellgun ujëmbledhës të Vjosës me një sipërfaqe 4,540 km² në territorin shqiptar, për larmshmërinë e relievit, mozaikun e llojeve të ndryshme të habitateve të një shkalle unike në Evropë.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura theksoi se “lugina e Vjosës është padyshim një thesar që meriton të përfshihet në Programit “Njeriu dhe Biosfera”, UNESCO”.
Gjithashtu ekspertët e misionit të UNESCO-s, së bashku me ekspertët e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, vijojnë punën mbi përgatitjen e dosjes për aplikimin në Programin “Njeriu dhe Biosfera”.
Ky aplikim do të përfshijë tre elementet kryesorë që një Biosferë duhet të përmbushë:
funksionin ruajtës, zhvillimin dhe mbështetjen logjistike.
Grupi i Punës ka vizituar edhe monumentin e natyrës “Ujërat Termale të Bënjës”, si një nga pikat më të rëndësishme ku njeriu, kultura dhe natyra ndërveprojnë.
Misioni i UNESCO-s përfaqësohet nga dy ekspertë z. Petr Čupa dhe znj. Anna Kovbasniuk, të cilët prej disa ditësh tashmë kanë zhvilluar misionin e tyre përgjatë Luginës së Vjosës për të njohur nga afër gjithçka ofron “mbretëresha” e lumenjve.
Parku Natyror i Lumit të Vjosës, pjesë e të cilit është edhe Lumi Drino, falë biodiversitetit si dhe resurseve të shumta po tërheq vëmendjen e organizmave kombëtarë dhe ndërkombëtare.
I cilësuar si lumi i fundit i egër në Evropë, Parku Natyror i Vjosës përfshin potenciale të rëndësishme natyrore dhe ekoturistike, të cilët duhen mbrojtur dhe miradministruar.
Sipas Ministres së Mjedisit, Shqipëria ka nisur që prej gati dy vjetësh, një proces shumë të rëndësishëm të mbrojtjes së pari si Park Natyror dhe më pas është përgatitur si Park Kombëtar që është niveli më i lartë i mbrojtjes së një pasurie natyrore.
Dhe, meqë Parku Natyror i Vjosës përfshin site të rëndësishme dhe vlera të trashëgimisë kulturore, prej kohësh edhe UNESCO ka shprehur interes për t’i dhënë një status të veçantë, sipas standarteve ndërkombëtare, kësaj zone.
Lumi Vjosë buron në zonën kufitare midis Shqipërisë dhe Greqisë ndërsa përshkon rreth 70 kilometra në territorin grek për të vazhduar më pas me një gjatësi prej 210 kilometra në vendin tonë. Zonat që përshkon ky lumë kanë biodiversitet të larmishëm natyror dhe vlera të veçanta turistike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.