Administratori i kompanisë importuese të 18 tonëve mish pule me bakterin e salmonelës është ndaluar nga policia por është liruar më pas.
Arben Goxha ishte shpallur në kërkim për importimin e disa tonëve mish pule që kishte rezultuar i infektuar me bakterin e salmonelës. Megjithatë, në njoftimin e policisë thuhet se “pas konsultimit me prokurorin, u vendos procedimi në gjendje të lirë i këtij shtetasi”.
“A. G., 50 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme, për shëndetin ose jetën e njerëzve“ është ndaluar por pas konsultimit me prokurorin, u vendos procedimi në gjendje të lirë i këtij shtetasi”, njofton policia.
Policia ka proceduar penalisht edhe vëllain e Arben Goxhës, po ashtu administrator i një kompanie të përpunimit të mishit, për dyshimin e importimit të produkteve ushqimore që kanë në përmbajtje bakterin e salmonelës.
Në hetim janë marrë edhe 3 inspektorë të AKU-së. Ata akuzohen për “shpërdorim të detyrës”, pasi në cilësinë e inspektorëve të AKU me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar futjen në treg të këtyre produkteve.
Përmes një reagimi zyrtar, AKU njoftoi se pas analizave të bëra në ISUV më 21 mars ishte identifikuar bakteri salmonelë në ngarkesën e ardhur nga Brazili dhe se po koordinonte gjurmimin dhe bllokimin, por nuk saktësoi sasinë e hedhur, apo sasinë e identifikuar dhe bllokuar, nëse ka të tillë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.