Nga Gazeta ‘Si’- Faleminderit për asgjë, 2025. Ishte një vit në të cilin shumica prej nesh do të donte të ishte ose Suni Williams, ose Butch Wilmore.
Williams dhe Wilmore ishin astronautë që duhej të qëndronin në hapësirë rreth 10 ditë, por përfunduan duke ndenjur gati 10 muaj, duke mos u kthyer në Tokë deri në mars të këtij viti dhe duke humbur pothuajse tre muaj nga ky mjerim.
“Mirë se u kthyet, djema. Ka lajme të mira dhe lajme të këqija: lajmi i mirë është se jeni kthyer shëndoshë e mirë; lajmi i keq është se Kamala Harris nuk i fitoi zgjedhjet.”

Fituesi i zgjedhjeve, Donald Trump, sigurisht që dominoi axhendën e lajmeve në të njëjtën mënyrë siç do ta dominonte një ari sektorin e mjaltit po ta lije të lirë në një supermarket.
Ai vendosi tarifa të menduara me nxitim mbi gjithçka dhe këdo, përfshirë ishuj të pabanuar pranë Antarktidës.
Dhe u grind në mënyrë spektakolare me Elon Musk-un, i cili, si Lazari, fluturoi shumë afër diellit të ndritshëm.

Në Europë, ka qenë një vit i çuditshëm.
Gjermania e zëvendësoi Kapiten Karizmën Olaf Scholz-in, me Friedrich Merz-in, i cili gjithmonë duket sikur sapo i ke zënë vendin e parkimit në supermarket, edhe pse ai kishte pritur me durim për një kohë të gjatë.
Franca dhe Italia i ndërruan rolet: kjo e fundit u shndërrua në model stabiliteti, ndërsa e para u kthye në një rast problematik ku aq shumë njerëz u bënë kryeministra saqë, në momentin e shkrimit, Eric Cantona është mbajtësi i asaj detyre.
Në Bruksel, Ursula von der Leyen ka qenë pothuajse po aq popullore sa një operacion i padëshiruar invaziv dhe i mbijetoi jo një, por tre votëbesimeve në Parlamentin Europian, i cili sot anon aq shumë djathtas sa rrezikon të përmbyset.
Por ka pasur edhe disa histori suksesi
Papa i ri duket njeri i mirë, që do të thotë se Kisha Katolike e ka thyer ciklin e kohëve të fundit “papë i mirë / papë i keq”.
Dhe António Costa po bën një punë shumë më të mirë si president i Këshillit Europian – një rol që, nga sa kuptojmë ne, përfshin porositjen e sasisë së duhur të ujit me gaz për mbledhjet – sesa Charles Michel.
Pra, ja ku jemi: drejt lartësive të ndriçuara nga dielli të vitit 2026. Nuk mund të jetë më keq, apo jo?
Kush ka qenë në ngjitje
Putha një kryeministër: Me fjalët e pavdekshme të Avril Lavigne: Ai ishte kryeministër, ajo ishte yll popi – a mund të bëhet më e qartë?
Justin Trudeau dhe Katy Perry janë zyrtarisht në një lidhje. Rezulton se gjithçka që duhet për të lulëzuar një çift “power” është një marifet i sikletshëm turizmi hapësinor dhe një dorëheqje në turp. Ka shpresë për të gjithë, njerëz.

Mbijetuesja: Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, arriti t’i mbijetojë gjithsej tre mocioneve mosbesimi këtë vit. Partitë e ekstremit të djathtë dhe të majtë provuan fatin e tyre, duke vërtetuar se nuk ka të bëjë me ideologjinë — thjesht nuk e pëlqejnë atë. Dhe njerëzit thonë se shoqëria është e përçarë pa shpresë.

Kush ka qenë në rënie
Marrëdhëniet SHBA-BE:
Ju kujtohet kur SHBA-të e pëlqenin vërtet BE-në? Zëvendëspresidenti JD Vance nuk e pëlqen. Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ai goditi demokracitë europiane, duke këmbëngulur se kërcënimi i tyre më i madh nuk është Rusia, por luftërat e tyre kulturore. Me miq të tillë…
Titujt mbretërorë:
Duka i Jorkut, Princi Andrew, nuk ekziston më. Tani ai do të njihet si Andrew Mountbatten Windsor. Që, për nga emrat e mesëm, është ndëshkim i mjaftueshëm. Vëllai i tij i madh, Charlie, ia preu gjithashtu financimin publik. Nëse Mountbatten-i ndonjëherë ka nevojë për punë, gjithmonë ka Pizza Express.
Çmim ironik për përdorimin e shkëlqyer të kaosit politik në një demokraci
Çfarë viti ka qenë për Marine Le Pen-in dhe politikën franceze, e cila i dha Italisë një vit të rrallë pushimi nga të qenit maskota kaotike e Europës.
Udhëheqësja e partisë së ekstremit të djathtë, Tubimi Kombëtar, u ndalua të kandidojë për poste publike për pesë vjet, pas një skandali me vende pune fiktive në Parlamentin Europian në mars.
Në teori, kjo e përjashton nga gara presidenciale e vitit 2027 – duke supozuar se deri atëherë do të kemi ende demokraci funksionale. Karriera e saj duhej të kishte marrë fund aty.

Por Marine nuk është nga ato që dorëzohen, sidomos kur krahu i djathtë, Barbie Bardella, pret – paksa tepër i etur – në prapaskenë për të marrë stafetën.
Gjithçka që i duhej ishte që elektorati francez të shpërqendrohej nga skandale më të freskëta dhe ta linte të planifikonte rikthimin e saj në heshtje.
Dhe ja ku hyn: Presidenti Emmanuel Macron dhe një studim rasti për sindromën “burrë i sigurt në vetvete, heteroseksual, i bardhë, në kufijtë e iluzionit”.
Ai i konsumoi kryeministrat më shpejt sesa Samantha Jones ndërronte të dashurit, duke u dukur çdo herë i habitur kur njëri largohej.
Është gati e lezetshme që asnjëherë nuk e konsideroi mundësinë se problemi mund të ishte vetë ai. Ndoshta vërtet ka ardhur koha për një presidente grua që t’i sjellë stabilitet Francës: shikoni Italinë dhe qeverinë e saj absolutisht-jo-neo-fashiste, për shembull. Ah, sa janë ndërruar pllakat.
Burimi: “Politico” / Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




