Futboll

Mirlind Daku lë shenjë menjëherë në Rusi. Gol, asist dhe ‘Lojtari i ndeshjes’

Gazeta Si – Menjëherë protagonist në futbollin rus Mirlind Daku. Sulmuesi i ri i Kombëtares shqiptare ka bërë një debutim fantastik me fanellën e Rubin Kazanit, ku u transferua vetëm pak kohë më parë.

Daku gjeti golin në ndeshjen e parë me Rubinin. Ai shënoi vetëm pas 3 minutash ndaj Lokomotivës së Moskës, duke devijuar saktë me kokë një top të krosuar nga e majta. Prekja e parë e topit dhe goli i parë.

Më pas sulmuesi 25-vjeçar dha pasimin për golin e dytë të Rubit. Ai qëndroi në fushë deri në minutën e 75-të, duke bërë një debutim ndoshta më të mirë nga sa mund ta kishte menduar. Daku u shpall edhe ‘Lojtari i ndeshjes’ për atë çfarë dha në fushë. Jo më kot klubi rus pagoi 1.5 milionë euro për këtë futbollist.

Me siguri Daku do ta ndihmojë edhe Kombëtaren shqiptare në ndeshjet e shtatorit me Çekinë dhe Poloninë, që janë vendimtare për objetivin e kualifikimit të mundshëm në Euro 2024. Me këtë formë që ka treguar që në startin e aventurës ruse, ai do të jetë një ‘armë’ më shumë për trajnerin Silvinjo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë