Kombetarja

Mirel Josa: Jemi më të fortë se moldavët, triumfojmë dhe në mbrëmje jemi ‘gjermanë’

Fatjon Rupi – Vetëm një kombinim ‘i pamundur’ do të na mohonte ‘Gjermani 2024’. Për ta fshirë edhe këtë kombinim mjafton që kuqezinjtë të marrin një pikë sot në Kishinau dhe për herë të dytë në histori do të jemi në Europian. Nuk ka asnjë nënvlerësim të kësaj sfide, edhe pse Kombëtarja jonë ka pas 3 ditësh edhe shansin tjetër me Ishujt Faroe.

Mirel Josa, ish-futbollist i Kombëtares dhe trajner i disa skuadrave në Superiore, thekson për Gazeta Si se sot në mbrëmje do të jemi ‘gjermanë’, duke qenë i bindur për një rezultat pozitiv në Moldavi.

‘Së pari, do të thosha se ne duhet t’i kënaqemi asaj që Kombëtarja na ka dhuruar në këto eliminatore. Si njeri i këtij profesioni, jam shumë i kënaqur për çfarë ka bërë Shqipëria në çdo ndeshje, në lojë dhe rezultate. Është meritë e të gjithëve, lojtarëve, stafit teknik dhe gjithë drejtuesve administrativë, FSHF-së.

Mendimi im është se janë gjetur lojtarët e duhur për të bërë një skuadër të fortë, është punuar shumë mirë dhe pastaj fusha ka treguar gjithçka. Të gjithë ata që janë thirrur për të bërë këtë punë, kanë dhënë maksimumin, nuk ka asnjë dyshim. Kombëtarja ka funksionuar në mënyrën më të mirë në këto eliminatore”, – thotë Josa për Gazeta Si.

Trajneri i njohur më pas kalon te ndeshja e sotme me Moldavinë: “Ne jemi më të fortë se ata si skuadër në çdo drejtim. Jemi më të fortë në lojë dhe në rezultate, siç kanë treguar ndeshjet e deritanishme. Nuk dua të influencohem nga çfarë është deklaruar, se na mjafton pika e kështu me radhë. Unë mendoj se ne do të triumfojmë në Moldavi dhe do të kualifikohemi.

Kam shumë besim se do t’i mbyllim llogaritë që sot, duke siguruar Europianin e Gjermanisë. Skuadra do të bëjë atë që di të bëjë më mirë dhe do ta arrijë objektivin. Duhet të jemi shumë të kënaqur me këtë Kombëtare”.

Mirel Josa (majtas) gjatë një ndeshjeje me Kombëtaren. Gazeta Si, 17 nëntor 2023

Josa shprehet gjithashtu se kuqezinjtë, me këtë nivel që kanë arritur, do të jenë kompetitivë edhe në Euro 2024. “Dua t’i shoh gjërat hap pas hapi dhe tani le të kënaqemi me këtë që po na dhuron Kombëtarja. E ritheksoj, kemi një skuadër shumë të fortë, që besoj se do të jetë kompetitive edhe në Europian.

Individët? Shqipëria ka funksionuar shumë mirë si skuadër. Ka qenë shumë kompakte, por nëse duhet të veçoj dikë, për mendimin tim është gjetja e një mbrojtësi të majtë klasik. Mitaj e ka bërë shumë mirë punën e vet, ashtu si gjithë të tjerët. Trajneri Silvinjo ka gjetur lojtarët e duhur dhe ka ndërtuar mënyrën e tij të lojës.

Janë edhe të tjerët, lojtarët me eksperiencë, apo edhe Ramadani dhe Asani, të cilët ne i njohim shumë mirë që kur luanin për Partizanin në kampionatin shqiptar. Të gjithë ata që ishin edhe me trajnerin e mëparshëm, si dhe ata që janë grumbulluar së fundi, kanë dhënë maksimumin nga vetja në shërbim të skuadrës, prandaj dhe kemi arritur në këtë nivel”, përfundon Mirel Josa për Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë