Politike

Miratohet raporti për vendimin e Kushtetueses për Rregulloren e Kuvendit. Por masat për përjashtimin e deputetëve të PD mbeten në fuqi

Nga Gazeta ‘Si’ - Socialistët në Këshillin e Legjislacionit pranuan vendimin e Gjykatës Kushtetuese që shfuqizoi disa pika të ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit.

Vendimi i gjykatës mbi ndryshimet e miratuara në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca, shfuqizoi vetëm disa pika duke lënë në fuqi përjashtimet me 30 dhe 60 ditë për dëmtimin e materialeve dhe zjarrvënieve.

Me këtë rishikim deputetët edhe pse përjashtohen nga seanca apo komisionet nuk do të pengohen që të hyjnë në ambiente e Kuvendit apo të marrin pjesë në veprimtari të tjera parlamentare.

Gjithashtu, hiqet dënimi me 30 ditë në rastet kur një i zgjedhur konfliktohet me kolegët, gardën apo përfaqësuesit e medias. Si dhe u rrëzua dënimi me 60 ditë i mazhorancës për rastin kur deputeti kryen veprime që dyshohet se përmbajnë elemente të veprës penale, apo kur deputeti kryen shkeljen në mënyrë të përsëritur brenda një sesioni parlamentar.

I pyetur nga deputeti Fatmir Xhafaj se, cili është vendimi final në raport me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, relatori Toni Gogu u shpreh se, “ky Kuvend duhet të zbatojë katërcipërisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese, siç ka bërë gjithmonë. Kësaj radhe ne zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetues, e cila ka shfuqizuar ato dispozita të cilat krijonin një paqartësi”.

Në fund drejtuesja e Këshillit, Etilda Gjonaj hodhi për votim, miratimin e raportit për t’ia paraqitur Kryetares së Kuvendit.

Për shkak të mungesës së dy relatorëve socialistë, Këshilli nuk arriti të shqyrtonte dy vendimet e tjera të Kushtetueses, për komisionet hetimore parlamentare si dhe ligjin për profesionet e lira. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë