Politike

Miratohet marrëveshja për Portin e ri të Durrësit me 74 vota pro pas një seance maratonë

Gazeta Si – Pas një seance maratonë prej më shumë se 12 orësh në Kuvendin e Shqipërisë, mazhoranca i dha dritën jeshile jetësimit të portit të ri turistik të Durrësit, duke votuar marrëveshjen me 74 vota pro, ndërsa 35 ishin kundër.

Ndonëse nuk mori pjesë në votim, kryeministri Edi Rama thotë se pasi mori miratim në Kuvend, ndërtimi i Portit Turistik do të jetë motor i jashtëzakonshëm ekonomik për Durrësin.

Teksa e shoqëron me një pjesë të fjalës së tij në Kuvend, Rama publikon pamje bardh e zi nga porti i Durrësit dhe tregohen sipërfaqet e ndryshkut dhe kalbjen e mjeteve të vdekura lundruese.

Duke e quajtur portin aktual ‘skandal mjedisor’ dhe ‘plagë urbane’, kreu i qeverisë tregon si do të bëhet transformimi i Portit të Durrësit nga investimi i huaj.

“Mirëmëngjes… dhe me kënaqësinë e hapjes me votën e mbrëmshme PRO të rrugës për ndërtimin e Portit të Turistik, që do të jetë një motor i jashtëzakonshëm ekonomik për Durrësin e mbarë Shqipërinë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkroi Rama.

Gjatë seancës që u mbyll pas mesnate, opozita kundërshtoi me të gjitha mënyrat, duke imponuara debatin pa afat për këtë çështje. Gjatë të enjtes, grupi i Sali Bersihës bllokoi edhe dy herë foltoren dhe vijimin normal të seancës. 

Ky projekt do të zhvillohet në një sipërfaqe trualli prej 812 600 m2. Parashikohen 12 000 apartamenteve dhe 2 hoteleve me 850 dhoma në total.

Faza e parë nis në 2023-shin e zgjat për 5 vite, me vlerë investimi  € 595 milionë Euro, dhe për fazën e dytë që pritet të nisë në 2028-ën, investimi është rreth 1 miliardë e gjysmë euro.

Marrëveshja ka një jetëgjatësi prej 35 vitesh, ndërsa përfundimi total i realizimit të projektit zgjat 20 vite.

Kuvendi miratoi në seancë plenare me 77 vota pro Buxhetin e shtetit për vitin 2023 dhe projektligjet e paketës fiskale që e shoqërojnë atë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë