Trashëgimi

Miratohet marrëveshja për menaxhimin e Parkut të Butrintit! Margariti: Nuk kalon në pronësi të fondacioneve

Këshilli i Ministrave ka miratuar këtë të mërkurë një marrëveshje që ka të bëjë me një mënyrë tjetër të menaxhimit të Parkut Kombëtar të Butrintit, i quajtur Plani i Integruar i Menaxhimit për Parkun Arkeologjik të Butrintit.

“Sot Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit nëpërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit. Ky është një lajm i mirë, pasi pas hapave që kemi bërë si për hartimin e planit, ashtu edhe me qasjen e re në frymën më bashkëkohore, Ministria ka hartuar një sërë aktesh nënligjore dhe kjo marrëveshje nis një proces të ri për menaxhimin e siteve, nis me një projekt ambicioz për të cilin kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me UNESCO, kemi pasur konsultime me ekspertë të ndryshëm, dhe rol kyç ka pasur Instituti i Arkeologjisë pasi bërthama e këtij parku është pjesa arkeologjike”, u shpreh ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti

Ministrja Margariti hodhi poshtë të gjithë akuzat se nga kjo marrëveshje, Butrinti u kalon në pronësi fondacioneve. Ajo bëri me dije se menaxhimi do të bëhet nga shteti, ku një pjesë e të ardhurave do të derdhen në arkën e kujdesit të trashëgimisë dhe pronësinë e Butrintit do të vijojë ta ketë shteti.

“Ky model menaxhimi është një model hibrid, jo fitimprurës, aseti është pjesë e shtetit shqiptar, asnjë pronësi nuk i kalon asnjë fondacioni apo etniteti tjetër, menaxhimi kryhet nga shteti shqiptar, ku në bordin e menaxhimit kemi 2 anëtarë të Ministrisë së Kulturës, 2 anëtarë nga Fondi Amerikano-shqiptar për Zhvillim dhe 1 ekspert të shquar të Butrintit, arkeologu britanik, Richard Hodges. Duam që parku kombëtar të jetë model në rajon, me një model të ri bashkëkohor të menaxhimit. Për herë të parë ne kemi hartuar një skemë të plotë se si Parku do të mbajë të ardhurat në territor, por do të derdhë edhe në arkën e kujdesit të trashëgimisë, u shpreh ndër të tjera ministrja Margariti.

Projektligji i miratuar sot në Këshillin e Ministrave pritet të ratifikohet në parlament.

Plani i Integruar i Menaxhimit për Parkun Arkeologjik të Butrintit

Plani 10-vjeçar për Menaxhimin e Integruar të sitit të Butrintit u bë publik nga Ministria e Kulturës në vitin 2019.

“Plani i menaxhimit të integruar për Parkun Kombëtar të Butrintit”, parashikon se një nga sitet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të vendit në dhjetë vite do të menaxhohet nga një fondacion i ri.

Procesi i menaxhimit të Butrintit u hap në tetor të vitit 2018 kur u nënshkrua një tjetër marrëveshje për bashkëpunim midis Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim me një financim prej 250 mijë dollarësh prej këtij të fundit.

Marrëveshja pasoi miratimin e Ligjit të ri për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, ku parashikohej edhe administrimi indirekt i pasurive kulturore shqiptare në pronësi publike.

Plani i ri synon, që të prodhojë, krahas planit të përgjithshëm të menaxhimit, një plan biznesi të ri për zonën UNESCO të Butrintit, si dhe përgatitjen e një harte të përditësuar GIS për gjithë territorin e Parkut Kombëtar të Butrintit 9 000 ha.

Qyteti antik i Butrintit për herë të parë u shpall monument kulture më 1948; më 1999 u regjistrua në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë