Treg

Miratohet ligji për pensionet private/ Nga ulja e kostove te detyrimet e kompanive, si do të rregullohet tregu

Nga Gazeta ‘SI’ – Është miratuar përfundimisht projektligji i pensioneve private, duke i hapur rrugë një tregu të ri financiar në vend.

Kuvendi ka dhënë ‘ok’ për propozimin e ministrisë së Financave, që parashikon t’i zhvillojë pensionet private paralelisht me ato shtetërore, në një kohë krize.

Ndër ndryshimet më kryesore në ligjin e ri është ai i uljes së kostos administrative në 2.5% nga 3% që ishte dhe rritja e vlerës së patatueshme. Po ashtu, pagesat që merr anëtari i fondit privat, nuk do të tatohen më si e ardhur personale, por do të tatohen vetëm për kthimin nga investimi, norma mbetet 15%.

Ligji i ri njeh dy forma të fondeve të pensionit: “Fond pensioni me pjesëmarrje të hapur” dhe “Fond pensioni me pjesëmarrje të mbyllur”. I pari është fondi që nuk parashikon kufizime në anëtarësim dhe krijohet nga shoqëria administruese, ndërsa ai i mbyllur krijohet nga një punëdhënës, shoqëri etj me pjesëmarrje të mbyllur, vetëm për anëtarët e subjektit.

Ndryshimet e reja ligjore i detyrojnë shoqëritë e fondeve t’u mundësojë anëtarëve akses në llogarinë e tyre për të kontrolluar në çdo kohë numrin e kuotave, çmimin e kuotës të asaj dite, vlerën e aseteve në llogarinë personale, datat, shumat e pagesave të bëra nga anëtari, punëdhënësi ose sponsori, kthimin e investimit

Të informojë anëtarët 3 muaj përpara daljes në pension mbi vlerësimin e llogarisë individuale dhe opsionet e pagesës së pensionit.

Zhvillimi i pensioneve private, që njihet si Kolona II, ka qenë prej kohësh kërkesë e siguruesve privatë, por edhe përfaqësuesve të qeverisë. Përshpejtimi i krizës demografike; emigrimi dhe lindshmëria e ulët, bënë që ky aspekt të kalojë në fokusin parësor të qeverisë.

Prej disa kohësh, skema e pensioneve në Shqipëri po financohej kryesisht nga shteti pasi kontributet e punonjësve ishin shumë më të ulëta se numri i pensionistëve.

Sipas të dhënave për periudhën deri në fund të gjashtëmujorit të parë 2023, totali i aseteve neto të fondeve të pensionit privat arriti në rreth 6,2 miliardë lekë, ndërsa numri i anëtarëve rezultoi rreth 37,600, me një rritje prej afro 3% krahasuar me fundin e vitit 2022. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë