Nga Gazeta ‘Si’- Vetëm me votat e socialistëve dhe mes polemikash, u miratua në Kuvend kalendari i veçantë i projekt-buxhetit 2026.
Kreu i grupit të PS, Taulant Balla propozoi që më datë 11 dhjetor, pr.buxheti të votohet në tërësi. Balla tha se me këtë buxhet do të rriten pensionet dhe nga janari paga minimale do të shkojë 500 euro.
Ndërkohë, opozita mbajti qëndrimin e saj se buxheti duhej tërhequr dhe duhej sjellë në Kuvend bashkë me paketën fiskale, e cila ende nuk është depozituar.
Deputetja Ina Zhupa tha se të dhënat zyrtare nga Eurostat tregojnë se Shqipëria është vendi i parë në rajon dhe në Europë që ka përqindjen më të madhe të popullit në varfëri.
“Në këtë parlament ndodh çudi, vjen projekt buxheti por nuk shoqërohet siç e kërkon rregullorja me paketën fiskale. Këtu vijnë se si do të shpenzohen paratë e shqiptarëve, por nga do të dalin këto para, politikat për taksat e tatimet që të kuptojmë nëse kemi buxhet të balancuar apo do të kërkojë deficit të tepruar në Shqipëri. Atë që kërkon rregullorja e Kushtetuta, këta nuk e zbatojnë. Ne jemi kundër buxhetit të vjedhjes së madhe, që nuk nxjerr shqiptarët nga varfëria, që iu jep më shumë para koncesionarëve dhe ministrave tuaj. E kemi parë se çdo firmë,e vulë është një koncesion.
Të dhënat që janë zyrtare, që vijnë nga Eurostat tregojnë se jemi kampion në rajon dhe Evropë se kemi 40.5 % të popullsisë në varfëri. Premtimi juaj për pensionistët është 60 lekë në ditë për pensionistët në qytet dhe 20 lekë në ditë për pensionistin në fshat. Ju mund të bëni propagandë të madhe me këtë rritje, por pensionistët nuk bëjnë asgjë, nuk garantojnë jetesë më të mirë, ilaçe apo sistem më të mirë përkujdesi. Tërhiqeni buxhetin dhe silleni me paketën fiskale!”, tha Zhupa.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



