Nga Gazeta 'Si'- Qeveria ka rishikuar buxhetin, duke përcaktuar një bonus pranvere për pensionistët.
Përmes një deklarate për mediat, ministri i Financave, Petrit Malaj, ka bërë të ditur se ata që kanë pensionin deri në 20 mijë lekë të rinj do të marrin një bonus prej 10 mijë lekësh, ndërsa ata që e kanë pensionin mbi 20 mijë lekë të rinj do të përfitojnë 5 mijë lekë të rinj.
Për këtë sasi parash do të krijohet një llogari speciale në Bankën e Shqipërisë për pensionistët, ku do të transferohen 6.3 miliardë lekë për garantimin e bonusit të pranverës.
Gjithashtu do të ketë shpërblime prej 15 mijë lekësh për familjet me ndihmë ekonomike, Personat me Aftësi të Kufizuar, si dhe kujdestarët e tyre.
“Në këtë prag fundviti, e gjithë vëmendja jonë shkon në mbështetje të shtresave më në nevojë, kryesisht pensionistëve dhe familjeve me të ardhura të ulëta. Do të shpërndajmë 2.2 miliardë lekë në formën e shpërblimeve të menjëhershme për disa nga kategoritë sociale më vulnerabël. Konkretisht do të jenë përfitues të bonusit prej 15,000 lekësh të gjitha familjet që trajtohen me Ndihmë Ekonomike, Personat me Aftësi të Kufizuar (PAK), si dhe kujdestarët e tyre”, tha Malaj.
Për bujqësinë, do të alokohet një fond shtesë prej 1.4 miliardë lekësh, ndërsa për bashkitë do të sigurohen 1.6 miliardë lekë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura dhe përmirësimin e shërbimeve publike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.