Nga Gazeta ‘Si’-Qeveria shqiptare ka miratuar rritjen e pagave për disa sektorë, konkretisht në shëndetësi, arsim dhe në fushën e sigurisë.
Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj u shpreh se qeveria mori vendimin që të rrisë edhe pagat e punonjësve mbështetës të administratës publike.
“Në kuadër të reformës për pagat miratuam një projektligj të rëndësishëm, për përcaktimin e pagave dhe përfitimin e punonjësve në administratën publike. Për të përcaktuar një kategori pagash që do të përfitojnë bonuse speciale, kemi menduar që pozicione të caktuara duhet të jenë konkurruese me tregun si sektori i IT, prsh. Bujqësisë që mirëpaguhen. Kemi filluar dhe miratuar disa projektligje që lidhen me rritjen e pagave për sektorin e arsimit, mjekësisë dhe IT, nga data 1 prill do të rriten dhe pagat për punonjësit mbështetës të administratës publike”.
E pyetur se ku do merren këto para për të mbështetur reformën për rritjen e pagave Ibrahimaj tha se fondet janë parashikuar qoftë nga rritja e të ardhurave, qoftë nga rialokimet e brendshme.
“Rritja do jetë në dy faza, do të ketë dhe në vitin 2024 që reforma supozohet të përfundojë. Kostoja e plotë do të jetë e vitit 2025, fondet janë parashikuar të mblidhen nga rritja e të ardhurave dhe kosto që përballohen duke ruajtur të gjithë parametrat, do vijojmë të ulim borxhin.
Në projektbuxhetin 2023 kishim parashikuar një rritje të pagave dhe ajo rritje targetonte sektorin e mjekësisë, arsimit dhe IT. Kishim një fond rezervë për disa politika sociale, momenti i pagave vjen si pasojë e rritjes së kostos së jetesës”, tha Ibrahimaj.
Ndërsa Ministrja e Arsimit Evis Kushi njoftoi vendimin për rritjen më të madhe të pagave për mësuesit të bërë ndonjëherë më parë, që do të ndodhë vitin e ardhshëm.
“Kemi marrë vendimin që vitin e ardhshëm, të kemi një nga rritjet më të mëdha ndonjëherë të pagave të mësuesve. Që do të jenë nga 23 deri në 36 përqind, në varësi të pozicioneve të tyre, sigurisht në varësi të përvojës dhe kualifikimeve që ata kanë. Paga e një mësuesi të shkollave 9-vjeçare do të jetë deri në 95.550. Ndërkohë që për arsimin e mesëm të lartë, do të jetë 106.800 lekë paga bruto”.
Kushi tha se nga kjo rritje do të përfitojnë 36.570 mësues në të gjithë Shqipërinë. Po ashtu, ajo njoftoi se rritje pagash do të ketë edhe për pedagogët.
“Këtë herë kemi marrë vendim për një rritje më të madhe. Do të jetë 30 përqind rritja e pagave të pedagogëve, ku 20 përqind do të mbulohet nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër sigurisht nga të ardhurat e vetë institucioneve të arsimit të lartë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



