Gazeta Si – Miqësore luksi në muajin gusht për Kombëtaren U-19 të Shqipërisë, që do të matë forcat as më shumë e as më pak, por me kampionët e freskët të Europës, Italinë. Ndeshja do të luhet më 9 gusht, në Koverçiano, në qendrën e ekipeve kombëtare të Italisë.
Trajneri Ervin Bulku dhe stafi i tij do të grumbullojë lojtarë të ditëlindjes 2005-2006. Më 6 gusht skuadra do të udhëtojë Italisë për t’u stërvitur disa ditë dhe më pas për të luajtur miqësoren, që shërben si një test i rëndësishëm para kualifikueseve të Europianit.

Interesant është fakti se kuqezinjtë do të kenë përballë një shqiptar, Luis Hasën. Futbollisti me origjinë nga Peqini ishte lider i Italisë U-19 pak kohë më parë në Europian, ku kjo skuadër arriti të triumfonte, duke ngritur lart trofeun.
Hasa, i cili është pjesë e Juventusit, u zgjodh edhe lojtari më i mirë i aktivitetit. Më 9 gusht ai do të jetë kundërshtar i Shqipërisë, pasi ka zgjedhur të të veshë fanellën ‘axurre’.
Kombëtarja jonë U-19 zhvilloi dy miqësore më Kosovën U-19 në muajin qershor në Kukës, duke marrë një fitore dhe një barazim. Në program janë edhe 4 miqësore të tjera në muajt shtator dhe tetor, ndërsa kundërshtarët nuk janë përcaktuar ende. Në nëntor fillojnë kualifikueset e Europianit.
Shqipëria U-19 bën pjesë në Grupin 13, bashkë me Irlandën, Belgjikën dhe Slloveninë. Ndeshjet e këtij grupi zhvillohen në vendin tonë, në datat 15, 18 dhe 21 nëntor 2023. Objektivi i kuqezinjve është kualifikimi në fazën finale, që zhvillohet në Irlandën e Veriut në 2024-ën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




