Teknologji dhe Inovacion

Minus, rrjeti social ku mund të bësh vetëm 100 postime

Facebook dhe Instagram janë krijuar për të konsumuar kohën dhe vëmendjen tonë dhe po bëhet gjithnjë e më e qartë se po dëmton shëndetin mendor dhe privatësinë e njerëzve.

Për këtë, Ben Grosser, një artist dhe profesor në Universitetin e Illinois, ka shpikur një rrjet të ri social të pazakontë. Minus, është një platformë që imiton Facebook-un, por dekurajon angazhimin e vazhdueshëm duke u dhënë përdoruesve vetëm 100 postime gjatë gjithë jetës së tyre. Menduar si një provokim dhe jo një biznes i mirëfilltë, Minus bazohet në më shumë se një dekadë pune nga Grosser duke eksploruar se si mund të duket komunikimi më i shëndetshëm dhe më i sigurt në internet.

Pas shumë problemesh Facebook ka deklaruar se po eksploron mënyra për të reduktuar efektet e tij negative në mirëqenien e njerëzve, përmes veçorive të tilla si dhënia e opsionit të përdoruesve për të hequr “pëlqimet” nga postimet. Kjo është diçka që Grosser filloi të eksploronte një dekadë më parë. Në vitin 2012, ai krijoi Facebook Demetricator, një opsion që lejon njerëzit të heqin numrin e pëlqimeve, numrin e komenteve dhe shifra të tjera si një mënyrë për të eksploruar se si mund të ndryshojë ajo që postojnë njerëzit ndërsa janë më pak të fokusuar në përgjigjet e miqve të tyre.

Grosser vendosi të eksperimentojë me ndërtimin e një platforme të ngjashme me Facebook, por angazhimi i njerëzve dhe rritje e platformës nuk janë qëllimet. Në Minus, çdo përdorues merr gjithsej 100 postime për t’i përdorur gjatë gjithë jetës së tij, gjë që i detyron ata të mendojnë me kujdes se si duan të përdorin çdo postim. Nuk ka pëlqime apo numërim ndjekësish, kështu që përdoruesit nuk janë të detyruar të mendojnë se si mund të reagojnë të tjerët ndaj një postimi. As nuk duhet të shqetësohen nëse po postojnë mjaft shpesh.

Ndërsa përdoruesit u regjistruan në Minus dhe filluan ta përdornin, Grosser shikonte se çfarë bënin ata. Kishte shumë postime me poezi, citate dhe pyetje. Kishte pak politikë apo postime të të përditshmes, pjesërisht, thotë Grosser, sepse postimet nuk shpërblehen me “pëlqime”.

Platforma Minus është e orientuar drejt nxitjes së bisedës, pasi përdoruesit mund t’u përgjigjen lirisht postimeve.

“E vetmja mënyrë për të vlerësuar suksesin e postimit tuaj ishte nëse kishte një bisedë në përgjigje të tij. Kështu funksiononte ndërveprimi njerëzor deri në mediat sociale. Ne nuk shkonim në festa dhe të largoheshim me lista numrash se kujt i pëlqyem më shumë. Ne duhej të dëgjonim dikë, të mendonim për atë që kishte thënë dhe të përgjigjeshim nëse donim”, thotë Grosser.

Në Minus, sa herë që dikush bën një postim, ka dhe një numër që tregon se sa postime ju kanë mbetur.

Kur arrihet numri i postimeve që mund ti bëni në një ditë apo në një jetë, llogaria nuk fshihet por mbetet joaktive.

Grosser thotë se 100 postime janë mjaftueshëm për ti bërë njerëzit që të mendohen disa herë para se të postojnë diçka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë