Taksa

Ministrja Ibrahimaj: Shtyhet çdo lloj ndryshimi në taksa. Braçe: Shpallni plan të kursimit energjitik

Nga Gazeta 'SI' - Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj njoftoi se për shkak të krizës energjitike, çmimeve të larta dhe disbursimit të paketës së emergjencës, do të shtyhet miratimi i strategjisë afatmesme dhe nuk do të ketë asnjë ndërhyrje në shkallët e taksimit, për individët apo bizneset.

Në Komisionin e Ekonomisë, ministrja tha se shfrytëzimi i suficitit, që do të shkojë për investime kapitale, është vonuar për shkak të problemeve në prokurim dhe se rritja e çmimeve nuk ishte arsyeja kryesore e të ardhurave të larta në buxhet.

Të dyja këto konstatime u kundërshtuan nga deputeti i PS-së, Erion Braçe, i cili theksoi se nuk besonte asnjërën dhe nëse është kështu, duhet monitoruar institucioni i Prokurimeve dhe punonjësit aty.

Për suficitin ai përsëriti se TVSH-ja e çmimeve të rritura solli rritjen e të ardhurave.

Braçe u ndal dhe tek kriza energjitika në vend duke kërkuar shpalljen e një plani konkret për kursimin e energjisë elektrike dhe se që ata që shpenzojnë energjinë elektrike për luks duhet të paguajnë me çmim tjetër në raport me pensionistët.

“Parë edhe në luftën që po zgjat, energjia duhet të jetë sfida kryesore në sasi dhe kosto. Duhet një plan kursimi që ende nuk është i qartë. Ndonjëherë e marrin me shaka dhe fillojnë e qeshin. Të kursesh në këtë periudhë nuk është tallje. Është jetike. Qeveria duhet të shpallë një plan kursimi për institucionet publike. Zgjoheni në 5 të mëngjesit dhe shikoni se çfarë ndriçon në këtë qytet kot. Kush e do energjinë elektrike për luks duhet ta paguajë me çmim tjetër nga pensionistët. Kjo historia që e themi dhe nuk veprojmë, nuk shkon më,”-tha Braçe.

Komisioni i Ekonomisë miratoi dhe kaloi në Kuvend Aktin Normativ për ndryshimet në buxhetin e vitit 2022, ku përfshihen paketa e dytë anti-krizë, ndihma për sektorin e ndërtimit, rialokimi i buxheteve dhe informalizimi i AKSHI-t.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë