Nga Gazeta ‘Si’- Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, në fjalën e saj të parë në këtë post, ka deklaruar se u rimbursimi i plotë i barnave onkologjike është një nga prioritetet e saj kryesore në këtë detyrë.
Sala tha se kjo është sfidë jo vetëm si mjeke që ka nisur punën për herë të parë në spitalin onkologjik në QSUT, por sfidë dhe për të gjithë karrierën e saj në këtë fushë.
“Mendoj që është shumë e rëndësishme zgjidhja sa më parë e rimbursimit të plotë të barnave onkologjike. Është e palejueshme për ne, si një vend europian dhe si një vend që do të futemi në BE brenda vitit 2030, që barnat onkologjike nuk janë plotësisht të rimbursuara për pacientët me kancer. Kjo është personale për mua. Është jo vetëm sfidë e detyrës, por edhe sfidë e karrierës.
Besoj se është e bëshme dhe besoj se përputhet me vizionin e Kryeministrit.”, tha ministrja Sala.
Ajo shtoi se shumë kyç është riorganizimi i shërbimit parësor dhe diagnostikues pasi sipas saj do shpëtojë shumë jetë dhe do ulë fluksin në spitale.
“Nuk mundet që çdo spital të jetë i mbingarkuar. Diagnostika e përparuar shumë është një fushë që unë e njoh mirë, me inteligjencë artificiale mund të bëjmë një hap shumë të madh e të arrijmë atje. Shqiptarët janë shumë kreativë. Prandaj, nuk ka pse mos përdorim burimet tona që i kemi.
Inteligjenca artificiale do që të dhënat të jenë të digjitalizuar përpara. Në spitale do organizojmë sa më shpejt ekipet për disa procedura që duhen kryer patjetër në spitale”, tha ajo ndërsa shtoi se synon gjithashtu mbylljen e rrjedhjes së mjekëve të rinj.
“Mjeku i mirë shqiptar duhet të vlerësohet edhe këtu si në vendet e tjera. Asgjë nuk bëhet vetëm, prandaj këtij oqeani të madh që i jam futur, do t’i futemi të gjithë bashkë. Është shumë e vështirë, por nuk është aq e vështirë nëse bashkohemi të gjithë, asnjë gjë nuk është e pamundur”, tha Sala.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




