Gazeta Si – “Në Bosnjë dhe Hercegovinë shkëputja tashmë ka filluar, Bashkimi Evropian ka një metodë të thjeshtë dhe të lirë për të siguruar që Ballkani të mos bjerë nën ndikimin rus: të pranojë zyrtarisht kandidaturën tonë në Bashkimin Evropian. Nuk ka më kohë”.
Pavarësisht se është një diplomate për një kohë të gjatë, Bisera Turkoviç, ministrja e Jashtme e Bosnjë-Hercegovinës, shkon drejt e në thelb dhe lëshon një sinjal alarmi.
“Ne jemi shumë të shqetësuar, Moska dëshiron të kthehet për të ndikuar si një herë e një kohë, sigurisht që nuk do të ndalet dhe do të vazhdojë, jo vetëm në Moldavi dhe Transnistri, por edhe në rajonin tonë”.
Ministre Turkoviç a mundet që konflikti në Ukrainë të nxisë Beogradin që të veprojë së bashku me Moskën në Ballkan?
Serbia duhet të vendosë me kë të qëndrojë, qoftë me BE-në apo me Moskën. Ata duan të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, por në të njëjtën kohë të mbajnë lidhje të forta me Rusinë. Pra, ne nuk e dimë saktësisht se si do të sillen në të ardhmen, por mendoj se është koha të vendosim se ku duam të shkojë Ballkani Perëndimor. Dhe kjo varet sa nga vendet e Ballkanit, aq edhe nga Bashkimi Evropian. Gjeografikisht i përkasim Evropës, por nëse Brukseli nuk ndërmerr hapa në këtë drejtim, kjo hapësirë mund të mbushet nga dikush tjetër.
A ekziston rreziku i shkëputjes në Bosnjë dhe Hercegovinë? Milorad Dodik, një anëtar serb i presidencës trepalëshe, po bën presion që republika të krijojë një ushtri, polici dhe administratë tatimore të pavarur nga qeveria qendrore.
Unë do të thosha se është më shumë se një rrezik, shkëputja tashmë ka filluar, janë marrë vendime nga Republika Srpska që shkojnë në atë drejtim dhe të cilat do të hyjnë në fuqi brenda një viti. Pra, nëse Milorad Dodik fiton në zgjedhje tetorin e ardhshëm, ai me siguri do të aktivizojë planin e tij për Republikën Srpska.
Bosnja aspiron të anëtarësohet në BE, por nuk është ende zyrtarisht kandidate. Kur do të ndodhë kjo?
Bosnja duhet të bëhet një vend kandidat sa më shpejt të jetë e mundur, do të ishte një sinjal i fortë për serbët e Bosnjës të republikës Srpska, në zgjedhje, të pavendosurit mund të vendosin të votojnë për ata që janë pro BE-së dhe jo për ata që janë pro Rusisë .
Ukraina mund të ketë një rrugë të përshpejtuar drejt anëtarësimit në BE, ndërkohë që ju keni pritur për një kohë të gjatë. Dy pesha dhe dy masa?
Unë mendoj se të dyja vendet duhet të jenë kandidate, edhe ne kemi pasur pjesën tonë në luftë, gjakderdhjen dhe mbrojtjen e vlerave evropiane tridhjetë vjet më parë. Ne kemi mbrojtur multikulturalizmin dhe lirinë fetare në vendin tonë. Siç e dini, më shumë se 100,000 njerëz janë vrarë në konflikt, dhjetëra mijëra gra janë përdhunuar. Fatkeqësisht, e gjithë kjo po ndodh tani në Ukrainë, e cila po kërkon të anëtarësohet në BE dhe vërtet nuk e kuptoj pse kjo duhet të mohohet. Është e qartë se atëherë do të ketë një rrugë të tërë, me parakushte që do të duhet të vendosen, por nuk e kuptoj realisht pse të mos i japim statusin e kandidatit.
Bosnja po mendon gjithashtu të anëtarësohet në NATO, por Moska tashmë ka thënë se do ta konsideronte atë një akt armiqësor. Ndiheni të kërcënuar?
Rusia gjithashtu jep të njëjtat sinjale për hyrjen tonë në Bashkimin Evropian, është e qartë se ata duan të dominojnë këtë pjesë të botës. Ata e dinë se nëse kontrollojnë Bosnjën dhe Hercegovinën do të kontrollojnë të gjithë Ballkanin.
Që nga viti 2010, Bosnja ka ndaluar së investuari në sigurinë e saj. Jeni të shqetësuar se nuk do të mund të reagoni kur të lind nevoja?
Ne kemi pasur probleme me financimin e forcës ushtarake, por po përpiqemi të bëjmë më të mirën me burimet në dispozicion. Është e qartë se vështirësitë buxhetore na pengojnë të forcojmë mjetet dhe njerëzit për t’i çuar ato në nivelin e nevojshëm.
Burimi: “Corriere della Sera”; Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.