Kosova

Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Haxhiu kërkon mekanizëm për mbikëqyrjen e Gjykatës Speciale

Ministrja e Drejtësisë së Kosovës Albulena Haxhiu e konsideron të paprecedentë faktin se Gjykata Speciale nuk i jep llogari asnjë institucioni në Kosovë. Ajo thotë se patjetër Kosova duhet të krijojë një mekanizëm mbikëqyrës ndërkombëtar apo vendor për Dhomat e Specializuara, veçanërisht në aspektin e të drejtave të personave të akuzuar.

Ajo thotë se për gjithçka që ka ndodhur në Hagë i kanë adresuar në kuadër të takimeve me krerët e këtij institucioni të drejtësisë. Por, siç shprehet ajo, përveç kësaj nuk kanë asnjë kompetencë tjetër.

Haxhiu ka folur edhe për rezistencën që haset në reformën në sistemin e drejtësisë, synimet edhe për një mandat qeverisës dhe nevojën për shpalljen e konkursit të ri për kryeprokurorin e shtetit.

Ministrja Haxhiu ka deklaruar se kanë hasur në rezistencë nga opozita për të çuar përpara reformën në sistemin e drejtësisë.

Vonesat e Kushtetueses për ministren Haxhiu janë tendencioze dhe synim të vetëm kanë zvarritjen e reformës në drejtësi.
Dërgimin për herë të dytë në Kushtetuese nga PDK-ja të Ligjit të Byrosë për Konfiskimin dhe Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ministrja e Drejtësisë e quan plan të kësaj partie opozitare për të mos dhënë llogari për pasurinë e fituar sa ishin në qeverisje.

Ministrja e Drejtësisë ka shprehur kritikat e saj për Këshillin Prokurorial dhe qasjen karshi përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit, pozitë kjo e cila për më shumë se dy vjet ka mbetur me ushtrues detyre. Sipas saj, KPK-ja duhet sa më shpejt të shpallë konkurs të ri për këtë pozicion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë