Treg

Ministria fajëson shoqatat: Transporti Publik s’dihet kur rinis

Asnjë mbështetje financiare për punonjësit që kanë katër muaj pa punë

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës nuk ka aktualisht asnjë zgjidhje për të mbështetur sektorin e Transportit Publik përpos mbështetjes së deklaruar një javë më parë kur njohu si shpenzim të zbritshëm të 100% të konsumit të naftës, nga 43% që ishte dhe heqjen e të gjitha taksave dhe tarifave vendore deri në 31 dhjetor 2020.

Ministria ka injoruar kërkesën e punonjësve për një pagë për muajin maj edhe pse nuk jep një përgjigjje se kur do të rinisë aktiviteti i transportit publik.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës është njohur me deklaratat konfuze të bëra nga përfaqësuesit e disa kompanive të transportit publik. Një javë më parë, kur Qeveria vendosi rinisjen e transportit publik, këta përfaqësues deklaruan se nuk do të nisnin punën në shenjë proteste, ndërsa sot ata kanë dalë me një kërkesë tjetër, për hapjen e transportit dhe nisjen e punës.”- citon Ministria në një njoftim për shtyp dërguar medieve.

Ajo sqaron se, në kushtet e situatës së emergjencës shëndetësore në vend, hapja e transportit publik nuk është në tagrin as të MIE dhe aq më pak të kompanive të transportit, por vetëm të Komitetit Teknik të Ekspertëve, pasi Qeveria Shqiptare vlerëson se jeta dhe shëndeti i qytetarëve vlen më shumë se çdo interes tjetër.

Komiteti Teknik i Ekspertëve, thuhet në njoftim, ka vendosur shtyrjen me një javë të hapjes së Transportit Publik, si një shërbim me risk të lartë në këtë situatë epidemiologjike, nisur nga shtimi i rasteve të të prekurve me COVID-19.

Ministria shprehet se po vazhdon përpjekjet për të gjetur forma dhe mundësi për mbështetjen e sektorit të transportit publik dhe çdo nismë e re do të bëhet publike në momentin më të parë të mundshëm.

“Nga ana tjetër MIE shpreh gadishmërinë e plotë për të mbështetur nisjen e veprimtarisë së transportit publik, menjëherë sapo të gjykohet e mundur nga ana e Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe ju bën thirrje përfaqësuesve të kompanive të Transportit Publik, të distancohen nga disa individë në radhët e tyre, të cilët ditët e fundit kanë ushtruar dhunë dhe presion deri edhe ndaj përfaqësuesve të shoqatave të Transportit Publik.”- shkruan Ministria e Infrastrukturës në deklaratë duke bërë me dije  është duke përgatitur një reformë të thellë strukturore në sektorin e Transportit Publik, e cila synon nga njëra anë të formalizojë plotësisht këtë sektor dhe nga ana tjetër të rrisë cilësinë e shërbimit për qytetarët. Kjo reformë do të prezantohet në fund të muajit shtator të këtij viti dhe do të nisë nga implementimi në janar të vitit 2021.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë