Politike

Ministria e Jashtme: S’kemi asnjë kërkesë nga Ambasada ruse për dy shtetasit e arrestuar për spiunazh

Ministria e Jashtme deklaron se nuk ka marrë asnjë kërkesë, notë proteste apo çfarëdo shkrese zyrtare nga Ambasada e Rusisë në lidhje me arrestimin e dy shtetasve rusë dhe një ukrainasi nën dyshimet e spiunazhit në Uzinën e Armëve në Gramsh.

Ambasada Ruse deklaruar më herët se është njohur për rastin vetëm përmes mediave dhe ka akuzuar palën shqiptare se nuk ka informuar këtë ambasadë për arrestimet.

Ambasada kërkon që t’i vihen në dispozicion të gjitha dokumentacionet e hetimeve të deritanishme, si edhe të sigurohet një takim i përfaqësuesve të konsullatës ruse me personat e arrestuar.

Rusët Mikhail Zorin dhe Svetlana Timofeeva u arrestuan së bashku me ukrainasin me inicialet F.D., ditën e shtunë nën dyshimet e spiunazhit. Rusi Mikhail Zorin u përfshi në një përleshje fizike me dy ushtarët e Uzinës së Gramshit, duke u hedhur në sy këtyre të fundit një spraj.

Ai u ndalua pak pas këtij incidenti, ndërsa dy bashkëpunëtorët e tij u larguan me makinën luksoze tip Chevrolet, por u ndaluan pak më vonë pranë Cërrikut.

Të arrestuarit thonë se janë blogerë e turistë, por antiterrori nuk beson dëshminë e tyre dhe dyshon se ata veprojnë për llogari të shërbimeve inteligjente ruse.

Gramshi nuk është hera e parë që Svetlana Timofeeva tenton të hyjë në bazat ushtarake shqiptare. Në 2020 ajo ka postuar foto nga brendësia e bazës ajrore të Gjadrit dhe e bazës së nëndetëseve të Porto Palermos.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë