Taksa

Ministria e Financave tërhiqet nga taksimi i qumështit pluhur. Taksë vetëm për qumështin e bareve

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hequr taksën 16 lekë/litër e vendosur fillimisht për qumështin pluhur në Paketën Fiskale për vitin 2022.

Ndryshimet janë shtuar në draftin e publikuar në faqen e Kuvendit të Shqipërisë, ku neni 4 përjashton nga pagimi i taksës për qumështin pluhur, taksës për hirrë qumështi dhe taksës për krem qumështi fabrikat e prodhimit me etiketë të miratuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU). Një tjetër ndryshim është edhe vendosja e taksës për pijen e homogjenizuar (barista) në vlerën 16 lekë për litër.

Vendosja e taksës kombëtare 16 lekë/litër për pijet e homogjenizuara (barista)  dhe përjashtimin nga pagesa e kësaj takse të gjitha fabrikat e përpunimit të produkteve të qumështit apo edhe produktet e tjera për qumësht pluhur, krem qumështi, hirrë qumështi të cilat kanë kartat teknologjike të produktit fundor me përbërje qumësht pluhur u propozuan nga DHTIT në ndihmë të sektorit të përpunimit të qumështit pas prezantimit të paketës fiskale që me heqjen e TVSH-së 6% dhe vendosjen e taksës për qumështin pluhur penalizonte industrinë.

Paketa e re fiskale e prezantuar nga MFE nuk u prit mirë nga grupet e interesit dhe sipërmarrësit. Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, DHTIT, Shoqata e Përpunuesve të Qumështit dhe kompani prodhuese të çimentos pohuan se ndryshimet e propozuara penalizojnë prodhimin vendas, do të shtojnë fluksin e mallrave të importit dhe do të rrisin çmimet e produkteve ushqimore deri 30%.

Nga DHTIT  në mbështetje të sektorit të qumështit  ndër të tjera është propozuar:

-Fabrikat e përpunimit të qumështit, etiketën e produktit duhet ta kenë të miratuar nga Agjencia e Kontrollit Ushqimor AKU, sipas kartës teknologjike.

-Të paguhet taksë kombëtare 15 lekë/litër për të gjitha produktet e qumështit që importohen në Shqipëri, ku përbërja e tyre të rezultojë më pak se 95% qumësht lope.

-Të paguhet taksë kombëtare 150 lekë/kg për të gjithë sasinë e kremit të qumështit që importohet në Shqipëri.

-Të paguhet taksë kombëtare 150 lekë/kg për hirrë qumështi që importohet në Shqipëri.

-Të paguhet taksë kombëtare 16 lekë/litër për pijet e homogjenizuara (barista)

Me paketën e re u propozua heqja e TVSH-së të rimbursueshme nga 6% që është aktualisht për agroindustrinë bujqësore.Në paketë,  propozohet dhe vendosja e akcizës për gazin 6 lekë/litri nga zero që është aktualisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë