Ministria e Financave do të eksperimentojë në tregun e titujve shtetërorë duke emetuar një obligacion 15-vjeçar në shërbim të borxhit të brendshëm të qeverisë.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, ankandi do të hapet më datë 8 nëntor 2021, ku fillimisht synohet sigurimi i një vlerë prej 1 miliardë lekësh.
Momentalisht, letra me maturimin më afatgjatë është obligacioni 10-vjeçar. Vitet e fundit, po bëhet mbajtës i një peshe të madhe të borxhit për shkak të sigurisë që ka.
Borxhi i brendshëm deri në fund të qershorit 2021 arriti në 669.4 miliardë lekë, nga ku 67.6% ishte i emetuar në obligacione, ose 453 miliardë lekë. Nga shuma totale e borxhit të brendshëm, 101 miliardë janë të mbajtura në obligacione 10-vjeçare, të cilat përbëjnë 15% të stokut të borxhit te brendshëm në fund të qershorit 2021.
Zgjatja e afateve të maturimit në 15 vite mund të ndihmojë në lehtësimin e administrimit te borxhit dhe ushtron presion ndaj normave të interest në rritje.
Borxhi në vend shënoi rritje gjatë vitit 2018 ndikuar kryesisht nga rritja e stokut të borxhit në vlerë absolute dhe efekti i parablerjes së Eurobond-it që maturohej në vitin 2020. Më pas në vitin 202 u rritën shpenzime për shkak të tërmetit në fundin e 2019-s dhe pandemia gjatë vitit të shkuar.
Gjatë vitit 2020, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka emetuar në tregun e brendshëm tituj shtetërorë në vlerën 349.7 miliardë lekë, nga të cilat 223.9 miliardë Lekë nëpërmjet titujve afatshkurtër dhe 125.8 miliardë lekë nëpërmjet titujve afatgjatë. Rreth 86.1% e huamarrjes së brendshme ka shërbyer për rifinancimin e titujve ekzistues dhe pjesa tjetër për të shërbyer nevojat buxhetore të planifikuara në rritje kryesisht për shkak të pandemisë Covid-19.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.