Kosova

Kriza energjitike, Kosova i shpall luftë prodhimit të kriptovalutave

Ndërsa Kosova tashmë është duke përgatitur një ligj i cili do t’i përcaktojë rregullat e përdorimit të monedhave digjitale brenda territorit të saj, Ministria e Ekonomisë ka marrë vendim për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, si masë emergjente në përballje me krizën energjetike.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ditë më parë ka marrë vendim për masat emergjente për t’u përballur me krizën e energjisë që tashmë e ka kapluar vendin.

Si rrjedhojë, këto masa përfshijnë edhe ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në gjithë territorin e Kosovës, pasi shpenzojnë shumë energji për prodhim.

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të ministrisë, kjo e fundit ka njoftuar se të gjitha institucionet relevante obligohen të identifikojnë vendndodhjen e prodhimit të kriptovalutave si dhe ta ndalojnë menjëherë aktivitetin në fjalë.

Në një njoftim nga ministria ditë më parë, thuhej se duke u bazuar në këto rekomandime, Qeveria si masë emergjente do të vendosë obligime të veçanta për ndërmarrjet e energjisë me qëllim të trajtimit të çfarëdo mungese të papritur ose afatgjatë të kapacitetit prodhues energjetik, kapacitetit të transmetimit apo të shpërndarjes së energjisë.

Nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) kanë bërë të ditur se për pesë vite transaksionet për të blerë kriptovaluta janë rreth 10 milionë euro.

Kurse, Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se “do të marrë masa ndaj personave që nuk i deklarojnë këto të ardhura”.

Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala ka treguar  se tashmë ka përfunduar edhe një pjesë e dëgjimit publik që e trajtojnë këtë problematikë.

“Ne si komision parlamentar pasi që veprmitaria e kritpovalutave bjen në domenin e komisionit tonë, kemi pas një nisëm ligjore, kemi fillu, kemi hartu grupin punues dhe parimisht kemi bë një pjesë të dëgjimit publik të komunitetit që e trajtojnë këtë problematikë nga çështja e bizneseve dhe këndi i institucioneve që kanë interesim më trajtu këtë, jemi në punë e sipër, ende jemi kogja larg për shkak të specifikave dhe për shkak të interesimit tonë si parlamentar për të pas një ligj i cili vërtetë është në shërbim të asaj që ne e dëshirojmë, por që nuk mund të them kohën. Do të thotë jemi në procedurë të hartimit të ligjit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë