Treg

Ministria e Bujqësisë ngarkohet për tenderin e karburantit të fermerëve, ajo do të bëjë edhe shpërndarjen

Qeveria i ka lënë Ministrisë së Bujqësisë tagrin për tu marrë me karburantin e fermnerëve. Ajo ndryshuar procedurat e prokurimit publik për karburantin që do tenderohet për përdorim nga fermerët.

Kështu që për këtë qëllim autorizohet MinistriA e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si autoriteti përgjegjës për këto blerje.

Ndryshimi është bërë përmes një vendimi, i cili detyron që këto blerje të mos bëhen nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, duke e futur prokurimin e karburantit të fermerëve te rastet përjashtimore.

Rreth një muaj më parë qeveria prezantoi një regjim të ri fiskal mbi karburantin për prodhimin bujqësor, që do të aplikohet në 2021.

Në daljen e tij javore pak kohë më parë kryeministri Rama do të bënte me dije se më në fund janë plotësuar kushtet që fermerët të përfitojnë karburant falas sipas një procedure të caktuar që do të monitorohej me përpikmëri.

Sipas qeverisë, aktualisht janë 47 mijë që disponojnë NIPT, ndërkohë që përmes formalizimit që mendohet të sjellë skema e shpërndarjes së karburantit falas, ky numër do të arrijë në 70 mijë.

“Faktikisht do të ulim gjysëm për gjysëm mesatarisht çmimin e karburantin për fermerët. Llogaritet sasia e naftës që duhet për sipërfaqje dhe kulturave sipas një formule. Për atë sasi nafte llogaritet vlera fiskale e përjashtuar që do të konvertohet në sasinë e përcaktuar në bazë të kritereve të naftës që do të jepet falas përmes një karte të veçantë për çdo fermer. Çdo fermer që ka tokë në pronësi apo me qira është përfitues potencial i kësaj skeme duke u siguruar që të ketë NIPT-in e fermerit. Sot ne besojmë që menjëherë skema mund të përfshijë rreth 70 mijë fermerë të regjistruar, por ka potenciale për ta zgjeruar skemën.”- u shpreh kryeministri Rama.

Po ashtu kryeministri tha se duke nisur nga vitit 2021, karburanti për fermerët do të përjashtohet nga akciza, taksa e qarkullimit dhe ajo e karbonit.

Ai shpjegoi se është përcaktuar një formulë për përfitimin e karburantit falas për punimin e tokës. Nuk do të ketë nevojë për burokraci, mjafton regjistrimi on line përmes NIPTIT.

Kryeministri në të njëjtën kohë paralajmëroi se nëse nafta e tërhequr nuk do të përdoret për të punuar tokën e përcaktuar sipas formulës, fermeri që ka abuzuar do të përjashtohet për disa vite nga skema. Ministria e Bujqësisë do të monitorojë procesin përmes aparaturave enkas për këtë qëllim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë