Nga Gazeta 'SI' - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka mohuar lajmin se BE ka ndërprerë fondet e programit IPARD III për Shqipërinë.
Në një njoftim me shkrim dërguar mediave, ministria thotë se është pezulluar 'një faturë për shpenzimet e radhës' dhe e quan proces administrativ normal që bën BE kur ka dyshime mbi shpenzimet.
"Ky është një proces krejtësisht administrativ që lejon riverifikimin e sistemeve të kontrollit nga strukturat e akredituara të cilat do të marrin masat e nevojshme me qëllim vijimin normal të rimbursimit nga BE. Keto janë procedura normale të Bashkimit Europian në kushtet kur ka nevojë të verifikohen shpenzime të dyshuara për aktivitet jo konform rregullave të përcaktuara/Të gjithë strukturat shqiptare janë në bashkëpunim dhe në koordinim të vazhdueshëm me zyrën e OLAF dhe DG AGRI duke ofruar transparencë të plotë, sikurse kanë vepruar nga dita e parë e akreditimit, të të gjithë proceseve kontrolluese, hetuese dhe administrative të ndjekura deri më sot apo që mund të aktivizohen në të ardhmen " thuhet në njoftimin e MBZHR.
Njoftimi thotë se të gjithë autoritetet shqiptare e dinin lajmin dhe se kjo është punë e përditshme dhe se është me rëndësi që 'një program për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë rurale të mos bëhet objekt i konsumit politik.'
Lajmin që mohon ministria e Bujqësisë e konfirmoi vetë Delegacioni BE-së në Tiranë duke shtuar se arsyeja e pezullimit të IPARD III janë hetimet për korrupsion, diçka që në njoftimin e MBZHR nuk përmendet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.