Ngjarje

“Ministria e Brendshme bllokon dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit”

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka hartuar raportin vjetor për vitin 2019, ku ndryshe nga vitet e tjera vihen re dy ngërçe në raport me detyrat e qeverisë ndaj këtij institucioni.

Së pari, si pasojë e dëmtimeve nga tërmeti, ky autoritet është endur në disa seli dhe qeveria nuk akordoi asnjë fond për rikonstruksionin e godinës. Autoriteti arriti të përftonte një grant vetëm nga Qeveria Suedeze dhe zbatimi i projektit do të zgjasë një vit.

Ngërçi i dytë dhe jo pak i rëndësishëm është mungesa e bashkëpunimit me këtë Autoritet nga ana e ministrisë së Brëndshme. Autoriteti i Dosjeve nënvizon se ka vijuar komunikimi me institucionet që kanë detyrimin të identifikojnë dhe dorëzojnë dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit pranë tij. Proçesi në këtë drejtim ka qenë i fokusuar më së shumti në marrjen dhe dorëzimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit nga Arkivi i Sistemit të Ministrisë së Brendshme.

“Proçesi ka ecur me ritme shumë të ngadalta dhe nuk është përfunduar. Proçesi i marrjes në dorëzim të dokumenteve të ishSigurimit të Shtetit nga Arkivi i Sistemit të Ministrisë së Brendshme është pothuajse i bllokuar që nga muaji maj 2019”, - thuhet në raport.

Për zgjidhjen e kësaj situate, Autoriteti vëren se ka pasur komunikim të vazhdueshëm shkresor dhe takime me zyrtarë të lartë të ministrisë së Brendshme, porse situata mbetet e njëjtë.

Për vitin 2019 janë deklasifikuar rreth 561 dosje me mbi 90 mijë fletë dokumentesh. Janë mbyllur gjithashtu proçedurat e verifikimit për 342 kandidatë nga institucionet kushtetuese, nga të cilët 16 prej tyre figurojnë me dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, ose bashkëpunëtorë.

Autoriteti konstatoi gjithashtu pamundësinë e vijimit të proçedurës së verifikimit për 22 kandidatë, por pa përmendur emra konkret.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë