Nga Gazeta ‘Si’ – Ndërsa parashikimet e temperaturave premtojnë një sezon të zgjatur turistik përtej shtatorit, bizneset e turizmit në Shqipëri nuk duket se do të përfitojnë.
Situata për ta nuk po ravijëzohet optimiste dhe shkak është bërë nisja e hershme e sezonit shkollor.
Ndonëse muaji gusht ende nuk është mbyllur dhe 9 shtatori është edhe do ditë larg, tur-operatorët pohojnë për Gazetasi.al se hoteleritë, bar-et dhe restorantet kanë filluar t’i ndiejnë pasojat që tani. Ata mendojnë se tashmë koha klasike e pushimeve qershor-gusht ka mbaruar dhe ndërsa ndërmendin jo vetëm faktorin klimë por edhe interesin e të huajve për të bërë pushime në Shqipëri gjatë muajve të vjeshtës, theksojnë se duhet një riformatim politikash.
Aktualisht, në pikun e sezonit turistik, kur prurjet e turistëve janë ende të larta, punonjësit sezonalë, kryesisht studentë, janë detyruar ‘të braktisin’ punën e tyre.
Enri Jahaj, Kreu i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve pohon me pesimizëm për Gazetasi.al se nisja e shkollës me datë 9 shtator, periudhë e cila gjithashtu përkon edhe me sezonin e riprovimeve të vjeshtës për studentët, po i lë bizneset në kushtet e mungesës së madhe të punëtorëve.
Gjithashtu ai deklaron se ndonëse nuk kemi ende një për qindje të saktë, nga të dhënat e grumbulluara në terren, pritet një rënie konsumi si në bar-e ashtu edhe në restorantet e bregdetit. Arsyeja, referuar tij, është se familjet që janë tipikisht konsumatorët më të mëdhenj, do të detyrohen të nisin angazhimet për shkak të fëmijëve të tyre që do u drejtohen shkollave.
‘Situata zhyt bizneset në depresion’
Për Arben Çipën, kreu i tur-operatorëve të Sarandës është i menjëhershëm një ndryshim në politika. Duke qenë se turizmi kohët e fundit po kthehet në ‘zemrën’ e ekonomisë shqiptare, ai thotë për Gazetasi.al se në një situatë të tillë, fillimi i shkollës duhej të ishte shtyrë sa më shumë të jetë i mundur.
“Kur sezoni turistik sipas të gjithë gjasave pritet që të zgjasë deri në fund të tetorit, a ka mundësi që nisja e shkollave të jetë sa më vonë?
Pjesës më të madhe të stafit arsimor i është dashur që t’i nisë obligimet që tani duke qenë se paraqiten më para nëpër institucionet arsimore. Ndërkohë edhe prindërit janë larguar për shkak se duhet të fillojnë më shpejt përgatitjen e fëmijëve për shkollë, duke nisur që nga blerja e librave”, vijon ai për Gazetasi.al tek shton mandej se kjo situatë po çorienton të dyja palët. Si punëdhënësit, ashtu edhe punëmarrësit.
“Mesi i tetorit do të ishte periudhë shumë e mirë dhe efektive për fillimin e shkollës. Për bizneset sidomos do të ishtë një frymëmarrje. Aktualisht e gjithë kjo situatë, me studentët që janë detyruar të lënë punët e tyre në sektorin e shërbimit dhe familjet që bëjnë dot një zgjatje të pushimeve, sjell mbingarkesë edhe depresion për bizneset”.
Ai shton për Gazetasi.al se në një hark kohor shumë të shkurtër, të gjendur përballë një situate të tillë, pronarët do të stresohen dhe do të humbin moralin e të qenit aktiv, i cili për një vend që do të korrë para nga ekonomia, është tejet i rëndësishëm.
Zëra nga bizneset
Edhe pse rezervimet në Booking për hotelin e tyre vijojnë deri në mes të tetorit, pronarët e hotelit ‘Wait N Sea’ në Livadh, në mes të muajit gusht u gjendën përballë largimit të pesë punonjësve.
Tre prej tyre, të cilat mbulonin pjesën e pastrimit, ishin mësuese me profesion. Të detyruara të ktheheshin drejt Tiranës për t’u paraqitur në institucionet përkatëse arsimore, ata e lanë punën në mes pavarësisht se nevoja për ta është edhe për dy muaj të tjerë.
E njëjta gjë ndodhi edhe me dy studentë të angazhuar në servirje të cilët u desh të riktheheshin për sezonin e shtatorit.
Të dy pronarët tashmë do të detyrohen të bëjnë vetë rolin e sanitares, kamerierit dhe banakierit.
Edhe për ta, fillimi i shkollës duhej të ishte shtyrë të paktën me një muaj më vonë.
“Sipas parashikimeve, temperaturat do të jenë ende shumë të nxehta dhe vera në horizont duket shumë e gjatë. Me protonimet e mbyllura deri në tetor dhe mungesën e stafit, i druhemi shumë një rënie të cilësisë. Frika për një boomerang është shumë e lartë”, deklarojnë të dy për Gazetasi.al.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.