Largimi i Listës Serbe nga institucionet në Veri të Kosovës krijuan tensione. Duke komentuar situatën, Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç tha se ushtria e Serbisë është e aftë për luftë, por nuk e kërkon një të tillë, ndërsa shprehet se zgjidhja më e mirë për situatën është dialogu.
“Ne nuk duam luftëra, nuk duam që asnjë nga fëmijët apo oficerët tanë të vuajë. Ne nuk duam të vuajnë as kombet e tjera, por thirrjet tona për bisedime, për dialog nuk do të thotë se jemi të dobët apo të papërgatitur, të pavendosur. Thjesht mendojmë se është më mirë të dialogojmë dhe të bisedojmë, të ulemi në tavolinë në vend që të qëndrojmë në llogore” , u shpreh ministri serb.
“Ne nuk duam të kthehemi në vitin 1999, nuk duam luftëra dhe vuajtje. Askush nuk është duke shkrepur armët apo duke luajtur lojëra lufte”, tha Vuçeviç.
Kur u pyet se nëse nëse sikur dhe një nga “çizmet e ushtrisë serbe” do të hynte në Kosovë, ministri serb nënkuptoi se kjo nuk mund të ndodhë pasi kjo do të çonte në një përplasje jo vetëm me Kosovën, por edhe me NATO-n.
“Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se në Kosovë dhe Metohi ka forca të KFOR-it, në thelb NATO. Nuk po flasim vetëm për njësitë speciale të policisë dhe forcave të sigurisë së Kosovës, të cilat tani de facto po i shndërrojnë në ushtri, në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe marrëveshjet e Kumanovës, Brukselit dhe Uashingtonit. Por kujt i intereson, ata kanë axhendën e tyre dhe pavarësisht gjithçkaje që është rënë dakord, ata po e shtyjnë historinë e tyre.”, tha ministri serb.
Duke folur rreth propozimit franko-gjerman, Ministri serb tha se ai është kthyer në kornizë për dialogun e ndërmjetësuar nga BE.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




