Ekonomi

Ministri Malaj: Në shtator hapet IPARD III (me shpresë)

Nga Gazeta ‘SI’ – Ministri i Financave Petrit Malaj njoftoi sot se me “besim dhe shpresë të plotë, në shtator të këtij viti do të hapet programi IPARD III për Shqipërinë.

Sipas ministrit, programi që BE-ja ka bllokuar në vitin 2023 për abuzim me miliona eurot e dhëna, do të rihapet këtë vjeshtë dhe do të ofrojë një fond prej 118 ml eurosh për fermerët shqiptarë.

“Nga ana tjetër, jemi besimplotë dhe shpresëplotë se në shtator do të hapet dhe IPARD 3, që janë dhe 118 milionë euro të tjera për sektorin e bujqësisë. A janë të mjaftueshme ose jo, patjetër mund të themi se nuk janë të mjaftueshme sepse bujqësia ka nevojë për më shumë, por besoj se jemi në rrugën e duhur për ta çuar bujqësinë në një nivel tjetër dhe për ta pasur konkurruese në tregjet europiane”, tha Malaj.

Në takimin me fermerët e Divjakës, ishte edhe ministri i bujqësisë, Andis Salla, i cili tha se qeveria po rishikon skemat e mbështetjes për fermerët, duke marrë parasysh edhe kërkesat e ankesat e tyre.

 Ai rikujtoi dhe ndryshimin e ri fiskal që prek fermerët shqiptarë, rimbursimin e TVSH-së.

“Më e rëndësishmja, kompensimi i TVSH-së për të gjithë fermerët, për çdo produkt që keni shitur nga data 1 janar 2026 e në vazhdim mblidhni faturat. Dy herë në vit, më 30 qershor dhe 1 janar çoni faturat te Tatimet dhe do kompensoheni me 10% të vlerës së faturave”, u shpreh ministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë