Nga Gazeta Si- Landfilli i vjetër i Vlorës do të mbyllet para sezonit turistik të vitit 2026. Këtë ka deklaruar ministri i mjedisit Sofjan Jaupaj në Komisionin e Burimeve Natyrore.
Jaupaj tha se mbyllja e venddepozitimit të vjetër të Vlorës do të kryhet me patjetër para verës së 2026.
I pyetur nëse do riparohet defekti i inceneratorit të Elbasanit, Jaupaj tha se përgjigjen për këtë do e marrim në 2026, pasi në janar do fillojë studimi i fizibilitetit.
Ai tha se me mbështetje të Francës do të bëhet një studim fizibiliteti për inceneratorin e Elbasanit për të vlerësuar nëse defekti që ka pësuar ky impiant mund të rikuperohet.
Blendi Himçi, deputet i PD tha se nuk mund të hidhen poshtë inceneratorët për skrap kur janë shpenzuar para për to.
“Vënia në punë inceneratorit është e domosdoshme. Duhet një vlerësim, një inspektim nga ana e ministrisë suaj se cila është gjendja e inceneratorit. Sa janë kostot që mund të riparohet dhe vihet lëvizje dhe është e udhës që të ketë zgjidhje përfundimtare”, tha ai.
Jaupaj u përgjigj duke thënë se qeveria Franceze ka alokuar një financim për të bërë studimin e fizibilitetit dhe vlerësuar edhe impiantin e trajtimit të mbetjeve.
“Do bëhet për të parë gjithë elementet teknikë që nuk funksionojnë në mënyrë pastaj që të dali me një rezultat final sa i takon edhe mbështetjes financiare për elementin e riparimit. Ky studim do të fillojë në janar dhe do të bëhet edhe nëpërmjet vizitave dhe inspektimeve në terren për këtë element”, tha ministri Jaupaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



