Kosova

Ministri i jashtëm serb: Ndaloni tërbimin etno-nacionalist të Kurtit! Dialogu është në koma

Nga Gazeta ‘Si’- Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriç tha sot për Radio Televizonin Serb se shumë vende do të duhej ta përdornin ndikimin e tyre për “ta parandaluar tërbimin etno-nacionalist të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.”

Gjuriç, një ditë pas vizitës së përfaqësuesit të BE-së, Miroslav Lajçak në Beograd tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në koma.

“Nuk ka të bëjë me Miroslav Lajçakun, por me faktin se shumë vende që do të duhej ta përdornin autoritetin dhe ndikimin e tyre për ta parandaluar tërbimin etno-nacionalist të Kurtit, nuk e përdorin autoritetin e tyre ose nuk janë të interesuar, dhe në disa raste diçka shumë më keq po ndodh, që është se prioriteti i shpallur më parë për krijimin e një shoqërie demokratike dhe multietnike në Kosovë dhe Metohi po zëvendësohet me disa qëllime të tjera gjeopolitike”, tha Gjuriç.

Ai tha se serbët më Kosovë duhet të jenë “të durueshëm dhe të mençur”.

“Ruajtja e interesave tona shtetërore dhe kombëtare varet në një masë të madhe nga këmbëngulja e tyre për të qëndruar në tokën e tyre, dhe ata janë heronj të vërtetë”, tha Gjuriç. 

Ai njoftoi se në muajt e ardhshëm Serbia do të zhvillojë një fushatë intensive diplomatike në kryeqytetet europiane për të tërhequr sa më shumë njerëz në anën e saj, pasi është konstituuar Parlamenti i ri Europian.

“Nesër në Austri do të kemi një takim me një numër ministrash të punëve të jashtme dhe do të marr pjesë në një forum në një qytet të vogël që do të mbledhë disa ministra nga rajoni. Do të kem një takim edhe me z.Borell  dhe tashmë të hënën do të flas në takimin e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, Ministrave të Jashtëm dhe kjo është një mundësi fenomenale për ne, si Serbi, të ulemi në atë tryezë dhe të shprehim në mënyrë të barabartë shqetësimet tona, problemet, por edhe vizionin për të ardhmen e rajonit”, tha Gjuriç.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë