Nga Gazeta ‘SI’ – Në një takim me fermerët në Elbasan, ministri i Bujqësisë, Andis Salla njoftoi rishikimin e skemës së mbështetjes direkte për femererët, për ta bërë atë më të dobishme për bujqit, pas disa ankesave të dërguara.
“E dimë shumë mirë që skema e mbështetjes direkte është tema që ju prek më shumë. Kemi marrë nga ju mesazhe, komente, ide, kritika dhe sugjerime: për kriteret, mënyrën e ndarjes së fondeve dhe ndjesinë që disa kategori fermerësh ndihen më pak të mbuluar. Ndaj sot dua ta them shumë qartë do ta rishikojmë skemën kombëtare të mbështetjes. Ne kemi për qellim të ndërtojmë një marrdhënie të drejtpërdrejt mes Qeverisë dhe gjithsecilit prej jush. Së bashku me ekipin do të jemi në 12 qarqet e vendit për të diskutuar për nevojat, ndryshimet dhe per tu pershtatur me realitetin ne terren. Gjithashtu ne synojmë ta përafrojmë me skemat që aplikohen në vendet e Bashkimit Evropian”, tha ministri.
Pjesë e takimit ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se çdo pagesë e mbetur pezull për fermerët do të mbyllet brenda këtij viti, duke iu përgjigjur kështu dhe shqetësimit të disa deputetëve.
Rama bëri thirrje për krijimin e bashkësivë të fermerëve, me qëllim fitimin e financimeve nga buxheti dhe transformimin e sektorit.
“Ju nga poshtë, ne nga lart! Kryetarët e bashkive pas reformës administrative-territoriale janë kujdestarë qoftë të qytetit, por edhe të fshatit. Por sot në shumicën e rasteve e shohin për një kanal më shumë, një pastrim më shumë, por më e rëndësishmja është toka që prodhon dhe ata që prodhojnë te toka. “Çka na intereson sot është çka duhet të bëjmë në vitet përpara dhe duhet ta bëjmë bashkërisht, sepse bujqësia ka nevojë për këtë partneritet me qeverinë, me pushtetin vendor për të përballuar sfidat që janë komplekse, që varen nga faktorë që janë jashtë mundësive të njeriut për t’u kontrolluar. Gjithsesi, ajo që ka më shumë rëndësi në bilancin e këtyre viteve është dija e fituar në të gjitha këto vite nga vetë ju. Kam besim që, nëse dijen e përfituar së bashku me dijen e një vatre që do të jetë gjithmonë më e rëndësishme për bujqësinë, ekonominë dhe zhvillimin, që është Universiteti Bujqësor, do t’i bëjmë së bashku dhe do t’i vendosim në funksion të politikave”, tha Rama.
Më tej ai përmendi edhe vendimin për të ngritur Bankën e Zhvilllimit, si mbështetëse të bujqësisë në vend, si edhe linjën e kredisë sovrane me Bankën e Shqipërisë.
“Shqipëria do ketë në fund Bankën e Zhvillimit, për të mbështetur projektet e sipërmarrjes shqiptare dhe projektet tuaja. Në ndërkohë që po rivëmë në lëvizje prapë në favorin tuaj, për të mbështetur sipërmarrjet tuaja, kini parasysh që lidhja e re e kredimit të ndërmarrjeve të vogla e të mesme te Banka e Shqipërisë që shkon deri në 250 mln euro si fazë e parë, mund të shkojë edhe në 2 mld euro nesër, është aty dhe pret ju, por nga ana tjetër dua ta rinënvizoj se bashkitë duhet të ngrihen në lartësinë e kësaj sfide, të nevojës tuaj për financë, partneritet, mbështetje me dije apo institucionale”, theksoi kryeministri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




