Nga Gazeta ‘Si’-Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, kërkoi shtensionim të situatës në mes të Kosovës dhe Serbisë duke bërë thirrje për rikthim në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Ne, marrë parasysh tensionet aktuale me Serbinë, dhe pakicën serbe në Kosovë, bëjmë thirrje të qartë për maturi dhe kujdes”, tha ministri gjerman më 5 shkurt në Prishtinë.
Në një konferencë për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ministri gjerman tha se “Kosova duhet të kontribuojë në shtensionim e situatës, mirëpo edhe Serbia ka një rol të veçantë”.
“Sa i përket marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës, kërkesa e ditës është deeskalimi, kancelari gjerman e ka nënvizuar që e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Evropë, por kjo parashikon dialogun dhe askush nuk duhet dhe nuk mund të ketë një interes në tensionin e mëtejmë të situatës”.
Ministri Pistorius theksoi se varësisht situatës në Kosovë, ata do të forcojnë edhe më tej kontigjentet gjermane.
“Ne angazhohemi edhe më tej, kontigjentet janë forcuar, varësisht nga situata dhe zhvillimet ne do të vlerësojmë situatën, dhe ne bashkë me KFOR-in do të marrim përsipër, është përkushtim i yni ndaj Kosovës. Duam të bëjmë të qartë se ka mbështetje ushtarake”, tha ai.
Gjithashtu, ministri tha se sa i përket çështjes së ndalimit të dinarit serb, kjo duhet të bëhet në mënyrë të përshtatshme.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se politika shtetërore e Serbisë “vazhdimisht po e sfidon integritetin territorial të Kosovës dhe angazhohet për akte agresioni ndaj Kosovës”.
Ajo shtoi se “për t’i parandaluar këto sulme në të ardhmen ne kemi nevojë për përkrahjen e Gjermanisë, sikurse edhe të aleatëve e partnerëve të tjerë euroatlantik”.
Ajo tha se është koha që Kosova t’i bashkohet NATO-s, duke filluar me Partneritetin për Paqe.
“Një hap i tillë do të ndikonte pozitivisht në sigurinë, paqen dhe stabiliteti ne të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




