Kosova

Ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla i ndalohet hyrja në Serbi

Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Donika Gërvallës, i është refuzuar leja për të vizituar Luginën e Preshevës nga autoritetet serbe.

“Ne kemi kërkuar leje. Vizita ka dështuar për shkak të lojërave të pandershme të Beogradit. Vizitën do të përpiqemi megjithatë ta realizojmë në një datë tjetër”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Sot, edhe mediat serbe raportuan se drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, iu ndalua hyrja në Kosovë.

Ndryshe nga Gërvalla, ai madje edhe ia mësyu kufirit së bashku me mediat, ku pasi u zmbraps mbajti një konferencë për media.

“Për dallim nga Prishtina, që na ndalon hyrjen, Beogradi po sillet me përgjegjshmëri dhe ne respektojmë të gjitha marrëveshjet. Sot ne kemi aprovuar hyrjen e një anëtari të kabinetit të qeverisë Kurti në Preshevë dhe Bujanoc sepse ne respektojmë marrëveshjet dhe lirinë e lëvizjes dhe marrëveshjen për vizitat zyrtare të cilat shfaqin qartë që ne duam normalizim të marrëdhënieve, duam të ndërtojmë paqe dhe duam marrëdhënie më të mira që është çelësi për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor”, tha Petkoviq.

Në fakt, edhe ditë më parë, disa ministra të Qeverisë së Kosovës ishin penguar të shkonin në Luginë të Preshevës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë