Ne rrjet

Mini Schengen dhe Mega sherri

Nga Arben Malaj* - Konkluzioni në media që ne, (Serbia, Maqedonia e Veriu dhe Shqipëria ) po ecim përpara, ndërsa Kosova është vetëpërjashtuar mund të jetë domethënëse për një diplomat të huaj, por jo për Kryeministrin e Shqipërisë. Përplasjet e ashpra mediatike midis liderëve të Shqipërisë dhe Kosovës, të mbështetur nga debate mediative, pro dhe kundër po krijojnë një situatë që i bën shqiptarët si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri më të dobët, jo më të fortë edhe per sfidat kombetare prioritare

Serbia e ka bërë publike prioritetin e strategjisë se saj kombetare dhe e ka mbështetur me një buxhet miliona euro të dedikuara vetëm kundër Kosovës.

Serbia e ka përparësi të politikës së jashtme që Kosova të mos bëhet asnjëherë një shtet i pavarur.Sa më shumë të zgjasë kjo situatë, aq më shumë Kosova do të marrë, sipas objektivit strategjik të politikës së jashtme serbe formën e një krahine autonome, të cilës Serbia mund t’i ofrojë çdolloj lirie politike dhe ekonomike, por jo pavarësinë e saj.

Por, Shqipëria si vendi im amë çfarë strategjie kombëtare ka për Kosovën? Patjetër që Kosova sa më parë të jetë një shtet i pavarur. Sa shteti shqiptare e ka realizuar këtë prioritet strategjik deri tani?

Si po e synojnë ta arrijnë disa nga udhëheqësit politikë të Kosovës statusin e një shteti të pavarur dhe të zhvilluar përballë gjithë këtyre shqetësimeve dhe pengesave reale dhe në rritje, së bashku me Shqipërinë, apo vetëm?

A po krijohen perceptime jo pozitive se Shqipëria po e zbeh mandatin dhe rolin përcaktues të liderëve të Kosovës për të ardhmen e Kosovës?

A kanë të drejtën legjitime, detyrimin moral, por sidomos atë kushtetues, udhëheqësit që populli i Kosovës ka zgjedhur me votë të drejtpërdrejtë të përfaqësojnë Kosovën drejtpërdrejtë dhe jo indirekt në çdo projekt rajonal, në çdo takim dhe në çdo vendimmarrje për të ardhmen e saj?

Jo vetëm takimet e Mini Schengenit po tregojnë se Shqipëria edhe Kosova nuk janë të mirëkoordinuara.

Si mund të përfshihemi në një grindje kaq të madhe mediatike mes veti për mini Schengenin? Kjo po ndodh kur fizikisht jemi vetëm dy orë larg që të flasim drejtpërdrejtë dhe të sqarojmë mospërputhjet, të ulim armët e ndërluftimeve mediatike, por sidomos të koordinojmë prioritetet kombëtare dhe përkushtimin e përbashkët për to. Fatkeqësisht, ajo që po ndodh jo vetëm për mini-shengenin tregon se distanca që po krijohet nga mentalitetet jobashkëpunuese midis vetë shqiptareve, mund bëhet përherë e më e gjatë.

I pari që duhet ta ndalojë këtë ndërluftim midis qeverisë shqiptare dhe një pjese të lidershipit politik të Kosovës është kryeministri shqiptar.

Për shumë arsye, por më e rëndësishmja është fakti se çdo përparimi i integrimit në rajon i përqëndruar vetëm, apo kryesisht midis Shqipërisë dhe Serbisë, nuk mund të jetë i plotë dhe as i dobishëm për rajonin nëse Kosova nuk përfaqësohet dhe integrohet drejtpërdrejtë.

Kosova nuk mund të përfaqësohet nga Shqipëria. Kosova nuk mund të trajtohet si ai fëmija i vogël që vëllai i madh e tërheq me forcë pas vetes.

Kushtet e SHBA edhe EU për Serbinë se ajo duhet të hedhi hapin e para për negociata me Kosovën për heqjen e taksës, duke ndalur fushatën agresive dhe të kushtueshme diplomatike për të bllokuar dhe mundësisht për të rritur numrin e vendeve të UN që tërheqin njohjet e mëparshme të Kosovës si shtet i pavarur është një model konkret për diplomacinë e vakët shqiptare.

Qeveria shqiptare nuk duhet të tregojë me gisht Kosovën si pjesa problematike e mini-Shengenit, por duhet të kushtëzojë çdo bashkëpunim të mëtejshëm me Serbine me ndaljen prej saj të pengimit që Kosova të njihet dhe të konsolidohet si një shtet i pavarur, ndërsa njohja nga vetë Serbia e Kosovës si shteti i pavarur mund të kërkojë më shumë kohë dhe më shumë koordinim edhe midis faktorëve gjeostrategjikë në rajon.

Shënim: Autori është lektor për Integrimin Europian. Marrë nga profili në Facebook i tij


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë