Bota

Mineapolis, sulm me një substancë të panjohur ndaj kongresmenes demokrate

Gazeta Si – Kongresmenja demokrate amerikane, Ilhan Omar, u vu në shënjestër mbrëmjen e së martës, më 27 janar, gjatë një fjalimi në Mineapolis nga një burrë që e spërkati me një lëng të paidentifikuar nga një shiringë përpara se të nënshtrohej nga rojet e sigurisë.

I dyshuari u shoqërua jashtë, ndërsa Omar, një shënjestër e shpeshtë e sulmeve të presidentit Donald Trump, vazhdoi fjalimin e saj, duke deklaruar: “Ne mbetemi të fortë përballë çdo gjëje që na hedhin”.

Ndërsa politikania e krahut të majtë amerikane fliste nga një foltore, burri doli përpara dhe përdori shiringën për ta spërkatur me lëng.

“Siguria dhe policia e Mineapolis arrestuan shpejt individin, i cili tani është në paraburgim”, tha zyra e Omar në një deklaratë.

“Kongresmenja është e sigurt. Ajo vazhdoi tubimin e saj publik, sepse nuk do t’i lejojë bullizuesit të fitojnë”.

Eventi u mbajt në qytetin e saj të lindjes, Mineapolis, i cili është tronditur për javë të tëra nga operacionet e zbatimit të ligjit për emigracionin dhe vdekjet e dy personave që protestonin kundër tyre.

“Ne do të vazhdojmë; ata nuk do t’ia dalin mbanë me këtë”, deklaroi Omar menjëherë pas sulmit dhe pasi kërkoi një pecetë.

“Ne duhet ta heqim zbatimin e ligjit për emigracionin një herë e përgjithmonë”, i kishte thënë ajo më parë turmës, duke shtuar se Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, “duhet të japë dorëheqjen”.

Ilhan Omar, një figurë e shquar e së majtës amerikane me origjinë somaleze, ka qenë prej kohësh një shënjestër e të djathtës amerikane, veçanërisht e Trump.

Presidenti e përmendi përsëri të martën në një fjalim në Iowa: “Ajo vjen nga një vend që është një katastrofë, sinqerisht”, tha manjati, i cili ka përshkallëzuar sulmet e tij kundër Somalisë për muaj të tërë.

Presidenti Donald Trump e quajti Omarin një “mashtruese” dhe dyshohet se e organizoi vetë sulmin, duke iu përgjigjur pyetjeve nëse e kishte parë videon ndaj kongresmenes demokrate.

“Jo. Nuk mendoj kështu. Mendoj se ajo është një mashtruese. Nuk mendoj aspak kështu. Ajo ndoshta e ka spërkatur veten me sprej, duke e njohur atë”, u citua të thoshte Trump nga ABC News. “Nuk e kam parë” videon, shtoi ai. “Shpresoj të mos kem pse të shqetësohem”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë